Luiz në PSG

Paris Saint-Germain është shumë afër arritjes së marrëveshjes me Chelsean, për transferimin e mbrojtësit David Luiz. Nëse realizohet, ky do të jetë kalimi më i shtrenjtë në histori, për një mbrojtës.

Sport

23/05/2014 09:57

David Luiz është pranë transferimit në Paris Saint-Germain, në marrëveshje që do t’i kushtojë gjigantit francez rreth 50 milionë funte, raporton Daily Mail.

Detajet financiare të marrëveshjes ende nuk janë realizuar mes klubeve, por transferimi i 27-vjeçarit do të jetë më i shtrenjti në histori për një mbrojtës, duke mposhtur çmimet e larta të kaluara të paguara nga PSG për angazhimin e Marquinhos dhe Thiago Silva.

Pas arritjes së marrëveshjes rreth vlerës, PSG do të kërkojë aprovim nga selektori i Brazilit, Luiz Felipe Scolari që Luiz të largohet përkohësisht nga qendra e ekipit për t’ju nënshtruar testeve mjekësore.

PSG beson se është duke transferuar një prej mbrojtësve më me stil në botë, dhe janë të gatshëm të përmbushin kërkesat e Chelseas për futbollistin i cili tashmë një kohë të gjatë ishte përmendur edhe si objektiv i Barcelonës.

PSG shfaq sërish muskujt financiar dhe ka bërë gati përforcimin e parë të madh për afatin kalimtar të verës.