Loja e Putinit: Është xhudo dhe jo shah

Dy libra të publikuar së fundmi “Përballja me rusët” e Endrju Monagan, dhe “Duhet të flasim për Putinin: Si e ka keqkuptuar Perëndimi” e Mark Galeotit, adresojnë të njëjtën pyetje nga këndvështrime të ndryshme: si duhet të përballemi me Rusinë?

Bota

23/05/2019 08:09

Mark Galeoti fokusohet tek vetë personi Vladimir Putinin, origjina, synimet, taktikat dhe strategjinë e tij (nëse ka të tilla). Endrju Monagan ka një qasje më të gjerë, duke analizuar pikat e forta dhe të dobëta të Rusisë, imazhin që ka për vetveten, perceptimet e saj të drejta dhe të gabuara mbi ne.

Që të dy, argumentojnë se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë në krizë, sepse ne jemi ndonjëherë të burgosur të paragjykimeve tona. Monagan përshkruan atë që ai e quan dilemën 2-pjesëshe të sigurisë, një problem që fillimisht ka të bëjë me interpretimin, dhe më pas me reagimin.

Problemi me interpretimin, është pjesërisht supozimi automatik se Rusia përbën një kërcënim ekspansionist, siç dëshmohet nga inkursionet e saj në Gjeorgji, Krime dhe Ukrainë, dhe pjesërisht nga ideja jonë e ekzagjeruar e fuqisë dhe aftësive të saj, transmeton “Bota.al”.

Ai pranon se kjo përbën një “sfidë të madhe për komunitetin euroatlantik”, por argumenton se nuk rrjedh nga një strategji agresive, por nga një sërë “mosmarrëveshjesh politike… të theksuara nga kuptimet e ndryshme të mjedisit ndërkombëtar sot”. Ne shohim kërcënime dhe provokime në inkursionet jashtë-territoriale të Rusisë, së bashku me sulmin kibernetik të vitit 2007 në Estoni, rindërtimin e forcave të saj të armatosura, ndërhyrjet e vazhdueshme në internet, dhe vrasjet dhe tentativat për vrasjen e emigrantëve rusë në Britaninë e Madhe.

Nga ana tjetër, Rusia e sheh veten të reagojë në mbrojtje, ndaj premtimit që supozohet se ka shkelur Perëndimi për të mos e zgjeruar NATO-n pas rënies së Bashkimit Sovjetik; ndaj fushatës ushtarake të NATO-s në Serbi në vitin 1999; ndaj tërheqjes së SHBA-së nga Traktati i Kufizimit të Raketave Anti-balistike (ABM); ndaj oreksit perëndimor për ndryshimin e regjimit (Irak), si dhe për mbështetjen e supozuar perëndimore, për grupet ukrainase anti-ruse dhe terroristët çeçenë.

Përsa i përket fuqisë dhe aftësive ruse, Monagan vë në pah problemet e vazhdueshme ekonomike, një udhëheqës të dorës së fortë, dhe buxhetin vjetor të mbrojtjes – që pavarësisht rritjes dhjetëvjeçare – është më i vogël se sa rritja e shpenzimeve në mbrojtje nga Donald Trumpi në SHBA.

Monagan është ndërkohë skeptik rreth kërcënimit të cituar shpesh të luftës hibride, dhe asaj që ai e konsideron si miti i “Doktrinës Gerasimov”. Ky koncept, nuk ka ekuivalentin e tij në gjuhën ruse, dhe konsiderohet edhe si lufta asimetrike. Ai citon etiketimin e gjeneralit Rupert Smith, për këtë të fundit si një “eufemizëm”, për të shmangur pranimin se “kundërshtari im nuk po luan në pikat e mia të forta, dhe se as unë nuk po fitoj”.

Monagan argumenton, se asnjëra palë nuk vlerëson se si duken veprimet e saj në sytë e tjetrit, duke sjellë një reagim të dobët, që janë në thelb politika reaktive, të maskuara si strategji. Kjo çon në ndarjen e gënjeshtërt të dy detantave (dialogjeve) ose parandalimeve, duke i trajtuar ato më shumë si qëllime në vetvete, sesa si pjesë e një strategjie më të gjerë.

Ajo që është e nevojshme, thotë ai, është një strategji e shekullit XXI-të, e cila merr parasysh veçanërisht leksionet e Irakut dhe hetimin “Chilcot”, dhe nuk është rezultat i llojit të mendimit dembel, që paraqet një kthim në Luftën e Ftohtë – një term tjetër pa domethënie që Monagan e ç’mitizon.

Në tregimin e tij për ngritjen në pushtet të Vladimir Putinit, Mark Galeotti na kujton se pasioni i tij kryesor nuk është sporti i shahut, por xhudo. Ai është një oportunist dhe jo një strateg, që nuk ka një strategji madhështore përtej ambicies së tij për “pushtet dhe stabilitet në shtëpi, dhe njohje të fuqisë jashtë vendit”.

Putini u rrit në Shën Petersburg, në kushte që mund t’i quajmë të varfra. Nuk u shqua dhe aq në karrierën e tij në KGB-së. Por ai përfitoi jashtëzakonisht nga rënia e Bashkimit Sovjetik të vjetër, të cilin ndonjëherë duket se e dëshiron. Megjithatë, veprimet e tij si president nuk kanë qenë një përpjekje për të ringjallur komunizmin apo Luftën e Ftohtë.

Ata janë më shumë “një britmë e dëshpëruar…një përpjekje e fundit për të mohuar historinë, për të pretenduar se epoka e superfuqisë ruse nuk ka përfunduar”. Ai është një patriot rus, karizma e të cilit bazohet në faktin që miliona rusë mund ta shohin atë nëpërmjet medias që e kontrollon në pjesën dërrmuese, dhe që ndjen se po lufton për ta, se ai është në anën e tyre.

Pasuria e tij e madhe personale dhe korrupsioni që ka infektuar kaq shumë institucione ruse, nuk duket se numërohen si dizavantazhe kundër tij. As imponimi i sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Ato nuk e prekin atë personalisht, dhe nuk kanë dëmtuar rëndë seriozisht ata që e mbështesin, dhe shumica e rusëve i shohin ato si një shembull të llojit të armiqësisë perëndimore, për të cilën ai është ende aty për t’u mbrojtur prej tyre.

Ai është “një person më i këndshëm se unë”, tha Trumpi. Garda e tij e re Kombëtare, është më shumë se sa dyfishi i forcave të armatosura të Britanisë së Madhe. Por ai është 66 vjeç. A ka luksin që të dalë në pension, dhe ta vendosë veten, familjen dhe pasurinë e tij në duart e pasardhësve të panjohur?

Paraardhësit e tij sovjetikë nuk mundën. “Tragjedia e Rusisë moderne”- thotë Galeotti, “është se

e njëjta gjë është ende e vërtetë”. Në lidhje me atë se çfarë duhet bërë me Rusinë, asnjë nga 2 autorët nuk pret ndonjë përmirësim të hershëm në marrëdhënie. Galeoti mendon se do të duhen disa breza, dhe Monagan vlerëson se çdo strategji e ardhshme e Mbretërisë së Bashkuar, duhet të mbajë parasysh “një atmosferë negative që mbizotëron në Moskë”.

Që të dy i cilësojnë të gabuara analogjitë me Luftën e Ftohtë, dhe që të dy kërkojnë një kombinim të dialogut dhe parandalimit. Me fjalë të tjera, mos u dorëzoni, gjeni interesat e përbashkëta aty ku mundeni, jini të kujdesshëm dhe informohuni më mirë. Por, mos mbani shumë shpresa për rezultate pozitive.