“Liria Ka Emër” fton qytetarët në protestën e 1 tetorit, organizohet transport nga komunat

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 1 tetorit kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Protesta me moton “JO NË EMRIN TIM” do të mbahet më 1 tetor, nga ora 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Për pjesëmarrësit nga komunat e ndryshme të Kosovës…

Lajme

30/09/2026 14:57

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 1 tetorit kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta me moton “JO NË EMRIN TIM” do të mbahet më 1 tetor, nga ora 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Për pjesëmarrësit nga komunat e ndryshme të Kosovës është organizuar edhe transport drejt Prishtinës. Autobusët do të nisen nga qytete dhe vendbanime të shumta, ndërsa oraret dhe pikat e nisjes janë publikuar nga organizatorët.

Në konferencën për media, përfaqësuesit e platformës, Ismail Tasholli dhe Arbnora Zogiani, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestë me familjarë, miq dhe kolegë.

Tasholli e cilësoi aktgjykimin si “të padrejtë dhe të papranueshëm”, ndërsa kërkoi nga institucionet e Kosovës veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe vazhdimin e betejës juridike.

Ai kërkoi gjithashtu nga Qeveria dhe Kuvendi shqyrtimin dhe procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ndërkaq, Zogiani vlerësoi mobilizimin e diasporës shqiptare dhe njoftoi se më 10 tetor do të mbahet edhe një protestë në Bruksel.