Leku shqiptar ruan paritetin me euron, jo edhe me dollarin

Ndonëse ka qëndruar në ekuilibër me euron, leku është zhvlerësuar me ritme të forta ndaj të gjitha monedhave të tjera kryesore të botës.

Lajme

12/03/2015 18:23

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se prej ditësh dollari amerikan e ka kapërcyer kuotën e 130 lekëve, ndërsa funta britanike për herë të parë po këmbehet në tregun e brendshëm me gati 200 lekë.

Sipas të dhënave të BSH-sw, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, leku është dobësuar me 11.1 për qind ndaj funtws, 13.3 për qind ndaj dollarit dhe po në ritme dyshifrore ka humbur terren edhe ndaj frangës zvicerane dhe jenit japonez.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se këto lëvizje pasqyrojnë atë që ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare të valutave, por me një veçori.

Leku ndjek me përpikëri euron dhe çdo dobësim i monedhës europiane ndaj dollarit, funtws apo çdo monedhe tjetër përcillet automatikisht edhe si dobësim i lekut ndaj tyre.

Shqipëria ka një regjim të lirë në kursin e këmbimit, por duket sikur kursi euro-lek është i fiksuar. Në kushte normale euro duhet të ishte dobësuar edhe ndaj lekut, por kjo nuk ka ndodhur.

Ekspertët thonë se kjo situatë është tërësisht rezultat i tregut dhe transaksioneve të lira që individët zhvillojnë në të. Sipas tyre, vetë tregu, individët dhe bizneset duket se duan një kurs stabël euro-lek, pavarësisht asaj që ndodh me monedhat e tjera. /Top Channel/