LDK, ProEtContra – Identiteti nuk duhet të negociohet për pushtetin

Shkruan, Gent Dradani: Një parti politike nuk ekziston thjesht për të fituar zgjedhje. Ajo ekziston për të përfaqësuar një ide mbi shoqërinë, një koncept mbi shtetin, një sistem vlerash, një traditë politike dhe, mbi të gjitha, një elektorat që i beson asaj ideje. Kur është kështu, pushteti është një instrumenti përmes të cilit kjo ide…

Opinion

02/09/2026 16:41

Shkruan, Gent Dradani:

Një parti politike nuk ekziston thjesht për të fituar zgjedhje. Ajo ekziston për të përfaqësuar një ide mbi shoqërinë, një koncept mbi shtetin, një sistem vlerash, një traditë politike dhe, mbi të gjitha, një elektorat që i beson asaj ideje.

Kur është kështu, pushteti është një instrumenti përmes të cilit kjo ide kërkon të bëhet realitet.

Por kur instrumenti shndërrohet në qëllim, politika fillon të humbasë kuptimin e saj. Dhe në raste të tilla del në pah edhe dallimi ndërmjet politikës si shërbim publik dhe politikës si instrument i pushtetit.

Në demokraci, bashkëpunimi me pushtetin nuk është problem në vete. Koalicionet, kompromiset, marrëveshjet dhe edhe votimi i përbashkët për çështje të caktuara janë pjesë e natyrshme e jetës politike. Demokracia nuk kërkon izolimin e subjekteve politike nga njëri-tjetri; ajo kërkon që ato të ruajnë identitetin dhe arsyen përse ekzistojnë. Dhe tek më vonë fillon problemi, kur kompromisi fillon e bëhet metodë mbijetese, kur marrëveshja bëhet më të rëndësishme se parime dhe kur interesi i çastit fillon të zëvendësojë vizionin, si synim!

Si psh kur ndodh diçka më shumë se një afrim politik, subjekti fillon të instrumentalizohet. Dhe instrumentalizimi është një prej formave më të rënda të humbjes së autonomisë politike. Sepse partia mund të vazhdojë të ketë emrin e saj, strukturat e saj, zyrtarët e saj dhe madje edhe retorikën e saj, ndërsa gradualisht humbet diçka shumë më të rëndësishme: aftësinë për të thënë “jo” kur interesi i saj politik e kërkon këtë.

Pa dyshim këtu shfaqet edhe dimensioni makiavelist i pushtetit; pushteti priret të justifikojë mjetet që e sigurojnë dhe e ruajnë atë. Kur kjo logjikë depërton në një subjekt politik, parimet fillojnë të perceptohen si pengesa, ndërsa kompromiset morale si kosto të pranueshme, dhe pyetja nuk është më: Çfarë është e drejtë, por Çfarë na sjell dobi, edhe këtu fillon të ndahet politika nga etika.
Një subjekt i qendrës së djathtë nuk mund ta ndërtojë identitetin e vet mbi shtetin ligjor, institucionet, ekonominë e tregut, përgjegjësinë individuale, orientimin euroatlantik dhe partneritetin me botën demokratike. Dhe pastaj, përballë pushtetit, të sillet sikur këto dallime janë vetëm çështje retorike, apo diçka pa deme dhe ndikim afatgjatë! Identiteti politik nuk provohet kur gjithçka është e lehtë, ai provohet pikërisht atëherë kur ruajtja e tij ka një çmim të caktuar, jo edhe të lehtë.

Nëse një subjekt politik serioz, asnjëherë nuk duhet të jetë i gatshëm të heshtë aty ku duhet të flasë, të mbështesë aty ku duhet të kundërshtojë dhe të relativizojë dallimet e veta për hir të një marrëveshjeje të përkohshme, sepse atëherë lind një pyetje e pashmangshme: Çfarë ka mbetur nga identiteti i tij politik?

Në rastin konkret të skenës sonë politike (LDK-Lw), nuk është çështje e demonizimit të së majtës. Një demokraci e shëndoshë ka nevojë për të majtën, të djathtën dhe të gjitha nuancat që lindin ndërmjet tyre. Pluralizmi nuk është defekt i demokracisë; është kushti i saj. Por duhet ditur se pluralizmi humbet kuptimin kur dallimet ideologjike bëhen të padukshme,- sapo shfaqet mundësia për të qenë pranë pushtetit.

Një subjekt politik mund të negociojë me kundërshtarin. Mund të votojë një ligj të mirë të propozuar prej tij. Mund të mbështesë një vendim në interes të shtetit. Mund të hyjë në marrëveshje për çështje madhore. Por asnjëhere nuk mund të shndërrohet në legjitimues të pushtetit vetëm sepse ka gjetur një interes të përkohshëm të përbashkët. Sepse në këso rastesh ndodh një transformim i rrezikshëm: opozita pushon së qeni kundërpeshë dhe fillon të bëhet dekor i pushtetit. Kjo është veçanërisht problematike kur një subjekt i qendrës së djathtë afrohet me një pushtet të cilin e konsideron ideologjikisht të kundërt me vetveten. Nëse dallimet janë reale, ato nuk mund të zhduken me një marrëveshje. Mund të negociohen interesat, por nuk mund të negociohet identiteti. Sepse një parti që humbet dallimin e vet nga kundërshtari, humbet edhe arsyen pse qytetari duhet ta votojë.

Kur jemi te kjo situate, pa tjetër që duhet të dallojmë edhe një gjë tjetër, se një parti nuk është kryesia e saj; se brenda një subjekti politik ekzistojnë baza, struktura, figura, intelektualë, aktivistë dhe njerëz që mund të mos pajtohen me kursin e udhëheqjes. Prandaj, kritika ndaj një drejtimi politik nuk duhet të shndërrohet automatikisht në gjykim kolektiv. Përkundrazi, zërat kritikë brenda një partie janë shpesh shenja se identiteti i saj ende nuk është shuar. Sjë parti nuk shpëtohet duke heshtur kritikët. Ajo shpëtohet duke i dëgjuar ata. Pastaj debati i brendshëm nuk është dobësi, por është mekanizëm vetëkorrigjues. Një subjekt që nuk toleron pyetje brenda vetës, më vonë do të humbasë edhe përgjigjet e veta.

Pra kjo është arsyeja pse duhet të shqetësohemi kur kryesia mendon një gjë, baza diçka tjetër, elektorati diçka të tretë, ndërsa opinionit i përcillet fotografia e një uniteti artificial. Një parti nuk mund të jetë njëkohësisht opozitë në retorikë dhe shtojcë në praktikë. Nuk mund të kërkojë votën e qytetarit si alternativë dhe pastaj ta përdorë atë votë për t’i dhënë legjitimitet një pushteti ndaj të cilit pretendon se ka rezerva thelbësore.

Elektorati nuk voton vetëm për një mandat, ai voton për një dallim. Dhe kur dallimi zhduket, vota humbet kuptimin e saj politik, dhe ajo që del në sipërfaqe nuk është ajo se çfarë i bën pushteti një partie, por çfarë është e gatshme një parti t’i bëjë vetvetes për të qëndruar pranë pushtetit. Dhe kjo është pika ku politika bëhet çështje karakteri.

Njeriu që e dëshiron pushtetin me çdo çmim, herët a vonë do të gjejë një justifikim për çdo kompromis. Por më i rrezikshëm se politikani që e kërkon pushtetin me çdo mjet është sistemi politik që e bën këtë sjellje të duket normale. Sepse atëherë jemi në një fazë kur oportunizmi nuk është më përjashtim, por bëhet kulturë politike, me çka parimet fillojnë të trajtohen si luks për ata që nuk kanë pushtet.

Prandaj pyetja që duhet t’i bëjë vetes çdo subjekt politik nuk është: Çfarë mund të marrim nga pushteti? Por, çfarë nuk jemi të gatshëm të sakrifikojmë për të? Pa dyshim kjo është edhe pyetja që ndan pragmatizmin nga oportunizmi, sepse pragmatizmi, po thuaj gjithmonë negocion mjetet pa tradhtuar qëllimin. Ndërkaq oportunizmi sakrifikon qëllimin për të ruajtur mjetin. Dhe një parti që fillon të sakrifikojë qëllimin për pushtetin, mund të fitojë një mandat, një post apo një marrëveshje, por në këmbim humbet kapitalin më të çmuar politik: besimin se ajo është ende ajo që pretendon të jetë.

Në politikë asnjëherë nuk duhet harruar se pushtetet kalojnë, se kryesitë ndryshojnë, se koalicionet krijohen dhe shpërbëhen, se mandatet mbarojnë. Por një identitet politik i humbur, asnjëhere nuk rikthehet me një deklaratë elektorale. Prandaj, një parti mund ta humbë pushtetin dhe të mbetet e gjallë, mund ta humbë një palë zgjedhje dhe të rikthehet; mund ta humbë një koalicion dhe të ndërtojë një tjetër. Por nëse për hir të pushtetit humbet arsyen pse ekziston, atëherë nuk ka humbur vetëm një betejë politike, ajo ka humbur vetveten.

Dhe kjo është ndoshta ironia më e madhe e politikës: njeriu mund ta fitojë pushtetin duke humbur parimet, por një ditë do të zbulojë se pushteti që fitoi nuk i përket më atij — sepse, në përpjekje për ta fituar atë, ka humbur vetveten./Lajmi.net/