Lajçak javën e ardhshme në Ballkan për bisedimet Kosovë – Serbi

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak do të qëndrojë për disa ditë në Ballkanin Perëndimor javën që vjen.

Lajme

26/02/2021 18:39

Vizita e tij gjatë së cilës përveç në Prishtinë dhe në Beograd, do të qëndrojë edhe në Mal të Zi, është pjesë e përpjekjeve për të siguruar rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, të cilat pushuan për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Një ditë pas zgjedhjeve zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se presin formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe përfshirjen e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

BE-ja duket e shqetësuar për vazhdimin e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të Albin Kurtit, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje e cila doli fituese në zgjedhje se bisedimet nuk janë përparësi e tij.

Zoti Kurti i tha Zërit të Amerikës pak ditë pas fitores në zgjedhje se mund t’i vendosë bisedimet “në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund t’i sjellë në top dy prioritetet”.

Shtetet e Bashkuara që janë mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, më disa raste ditëve të fundit theksuan se mbështesin bisedimet Kosovë-Serbi të mundësuara nga Bashkimi Evropian, dhe presin “një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi që do të çonte në një njohje të ndërsjellë”.

Kosova kremtoi ditë më parë 13 vjetorin e pavarësisë së saj e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Të premten presidenti serb Aleksandër Vuçiç ritheksoi se nuk do ta njohë asnjëherë atë, pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Të dyja palët filluan një proces bisedimesh dhjetë vjet më parë për normalizimin e marrëdhënieve si kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Bisedimet që rifilluan në korrik të vitit 2020 nuk shënuan ndonjë përparim.

Më katër shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë një dakordim për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre.

Trysnia ndërkombëtare për rifillim bisedimesh pas formimit të institucioneve të Kosovës mund të rritet për shkak të shqetësimeve se zgjedhjet e paralajmëruara në Serbi në pranverën e vitit të ardhshëm, mund të krijojnë një boshllëk të ri në proces.

Vizita e zotit Lajçak ndodhë në një periudhë kur ai nxiti shumë reagime në Kosovë pas një paraqitjeje, në të cilën në prapavijë kishte një hartë të Ballkanit në të cilën, sipas reaguesve, Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.

Zoti Lajçak më pas shkroi në rrjetet sociale se e tëra ishte një keqkuptim dhe se “Kosova është aty dhe po ashtu është linja që e ndan Kosovën nga Serbia”.

Në pranverën e vitit të kaluar zoti Lajçak, ish ministër i Jashtëm i Sllovakisë u emërua si i dërguar i posaçëm evropian pas një procesi debatesh të përshkuara me mëdyshje te një pjesë e vendeve të BE-së dhe në Kosovë, meqë vendi i tij është një nga pesë vendet evropiane që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilave është edhe Spanja prej nga vjen edhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.