La ëndrrën në mes që të ndërtojë në Theth, 23-vjeçari i zhgenjyer: Do emigroj sërish
Pak kohë më parë, kryeministri Rama i bënte thirrje të rinjve që të kthehen nga emigrimi për të investuar në atdhe, pasi sipas tij, e ardhmja ishte e sigurtë në Shqipëri, pasi turistët e huaj po gëlonin maleve fushave dhe deteve. Në fakt ardhja e turistëve ishte diçka e dukshme, dhe kjo gjë ndikoi edhe…

Lajme
Pak kohë më parë, kryeministri Rama i bënte thirrje të rinjve që të kthehen nga emigrimi për të investuar në atdhe, pasi sipas tij, e ardhmja ishte e sigurtë në Shqipëri, pasi turistët e huaj po gëlonin maleve fushave dhe deteve.
Në fakt ardhja e turistëve ishte diçka e dukshme, dhe kjo gjë ndikoi edhe tek disa persona që vërtet lanë emigracionin për të investuar në tokën e prindërve.
I tillë ishte edhe Klodian Harusha, i cili braktisi endrrën për futbollin, për të investuar kursimet minimale në Theth. Por aksioni i IKMT për shembjen e objekteve, i preu krahët të riut.
“Kam investuar këtu. Kam qënë emigrant. Kam luajtur si futbollist në Itali për 6 vite. U ktheva me idenë se ka të ardhme dhe këtu por fatkeqësisht më duket nuk ka. Kam ardhur me rreth 7 mijë euro të kursyera. U ktheva me fjalën e kryeministrit sepse tha kthehuni të rinjtë e investoni në tokat e të parëve tuaj. Unë u ktheva. Jam munduar me krijuar një jetesë në vete. Kjo këtu ka 1 vit që pikon është me nipt e çdo gjë”, tha Klodian Harusha.
Si një i ri i rritur jashtë vendit, Klodiani ishte i përgjegjshëm se për të ndërtuar duhet të merrte leje. Por ai shpejgon ping-pongun e përjetuar nga institucionet vendore në Shkodër.
“Jam sorollat në bashki, asnjë informacion për paketën e maleve. Më ka nxjerrë edhe jashtë në bashki duke më thënë shko kërko kund tjetër informacion. Kryeministri tha vjet e kemi miratuar paketën e maleve. Unë bëra diçka druri e cila mund të çmontohet për 2 orë. Kanë ardhur më kanë vendosur 58 mijë euro gjobë e më thanë do shembet bashkë me lokalin që ka 2 vite me nipt e çdo gjë”, shtoi banori i Thethit, Klodiani.
Investimi i tij tashmë është pjesë e procesit të shembjes, por humbjet e pësuara dhe borxhi mbi supe i kalon 90 mijë euro.
“Është ndërtesë 1 kat e gjysëm dhe është vënë gjobë e tillë. Jam i zhgënjyer kam ardhur me kriju një jetë këtu, sot jam 95 mijë euro borxh e nuk di nga të ia nisi. Jam munduar me investu në tokën time, kisha dasht një rrugë zgjidhje”, theksoi Harusha.
Klodiani tregon se vendimi i kryeministrit për të prishur objektet në Theth do ta detyrojë 23-vjeçarin të emigrojë sërish./Euronews Albania/