Ky është reagimi i Besiana Mehmedit pas akuzave të studentëve për bullizëm, dhunë psiqike dhe se po i bën për spital
Besiana Mehmedi, e cila është këngëtare dhe profesoreshë e muzikës sot ka bërë një reagim publik, pas protestës të studentëve të Universitetit të Tetovës.
ShowBiz
Studentët e akuzuan këngëtaren për bullizëm dhe thanë se i ofendon e iu shkakton dhunë psiqike gjatë ligjëratave.
E për akuzat e studentëve, Mehmedi ua ka lënë fajin mediave, derisa për studentët që protestuan ka thënë se janë “student të dobët”.
“Skenaristët e padukshëm është mirë të mos merren me këta studentë të dobët, duke i mbrojtur gjoja ata, e duke hedhur gurë e dru mbi mua. Kjo nuk është etike, por as njerëzore, sepse asnjëherë padituria nuk mund të triumfojë, sidomos në Universitetin e Tetovës, i cili është ngritur mbi sakrificat sublime dhe mbi vullnetin e çelikt që ne si shoqëri të konsolidohemi me kuadro të denjë, e jo me kuadro që në vend të përgjigjeve me shkrim vizatojnë lule, lepuj e yje nëpër letrat e tyre të zbrazëta të testeve të provimeve (!).
Me letra të zbrazëta nuk mund të më sfidoni dhe kot e keni të mbroni atë që nuk mbrohet, sepse nëse është dikush që ka luftuar dhe po lufton për ngritjen e studentëve jam unë dhe kolegët e mi. Kurse të gjithë ju që po fërkoni duart dhe po prisni të ndodhë dorëzimi im para shantazheve tuaja të ulëta, në fund do të mbeteni me gishta në gojë”, ka thënë Mehmedi.
Ajo ka pasur edhe disa fjalë për solistin e grupit “Elita 5”, i cili mori pjesë në protestën e studentëve.
“Arif Ziberi, këngëtar i grupit Elita 5, para dy vitesh ka ardhur në vendin tim të punës-Fakultetin e Muzikës dhe më është kërcënuar fizikisht me jetë për t’ia vënë notën 6 vajzës Elita Ziberi e cila në provimin me shkrim, kishte shkruar emrin, mbiemrin dhe disa lule. Normalisht se unë nuk jap lëndën e vizatimit dhe ato lulet e Elita Ziberit nuk kanë mjaftuar që të më bindin se ajo e njeh lëndën. Por kështu nuk mendon edhe prindi i saj Arif Ziberi, i cili atë ditë kur më kërcënoi më tha edhe këto fjalë: “Vajza ime është Vip dhe këtu ju diplomoni lloj lloj selaku” .
Testin e saj të zbrazët me disa lule e kam dëshmi edhe sot.
Arif Ziberi që e ka dhe një vajzë studente, Enisa Ziberin, e cila asnjëherë nuk ka hy në provim e përgatitur dhe këtë e dëshmojnë testet e saj, merr guxim dhe me datë 07.04 2022 hyn sërish në Universitet për të nxitur studentë dhe për të thënë të pavërteta para mediave, pra për të shpifur e për të shfryer inatet personale”, ka shkruar Mehmedi. /Lajmi.net