Kuvendi komunal i Ferizajt shpreh mospajtim me aktgjykimin ndaj krerëve të UÇK-së, LDK-ja nuk e voton dhe lëshon sallën

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, së bashku me anëtarët e Kuvendit, gjatë ditës së sotme kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për të shprehur mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj krerëve të UÇK-së. Megjithatë, sipas njoftimit për media, pak para leximit të…

Lajme

30/09/2026 12:21

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, së bashku me anëtarët e Kuvendit, gjatë ditës së sotme kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për të shprehur mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj krerëve të UÇK-së.

Megjithatë, sipas njoftimit për media, pak para leximit të kësaj deklarate, sallën e kanë lëshuar anëtarët e Kuvendit të Komunës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ndryshe nga subjektet e tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, përfaqësuesit e LDK-së nuk e votuan këtë deklaratë, duke zgjedhur ta lëshojnë sallën në momentin kur Kuvendi po shprehte qëndrimin e tij lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Këtë deklaratë e lexoi Kryesuesi i Kuvendit Xhavit Zariqi.

Në këtë deklaratë thuhet:

Kuvendi i Komunës së Ferizajt, në emër të qytetarëve të Komunës së Ferizajt, shpreh mospajtimin e tij të thellë, papranueshmërinë e aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16.09.2026 ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është lufta e popullit shqiptar për liri, ishte luftë e drejtë, e pastër, çlirimtare, vazhdimësi e përpjekjeve tona shekullore për liri, e lindur nga rrethanat e rënda të represionit, dhunës, vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës.

Ferizaj gjatë gjithë historisë tonë kombëtare, përgjatë shekujve si e gjithë Kosova, dha dëshmorë e martirë, dha luftëtarë e heronj në përpjekjen e luftën tonë për liri.

Përpjekjet tona shekullore për liri, kulmuan me luftën tonë të drejtë çlirimtare, me emblemën e krenarisë e lavdisë sonë kombëtare – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Për Ferizajn dhe ferizajasit, është i papranueshëm, i padrejtë, i pambështetur në të vërtetën faktike e historike, i paprovuar me fakte e mohues i përpjekjeve tona gjithë popullore për liri – Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara i datës 16 Shtator 2026 ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Theksojmë se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është fundi i procesit, beteja për të vërtetën e luftës sonë çlirimtare vazhdon. Kjo betejë vazhdon në rrugë institucionale, vazhdon e rritet çdo ditë me zërin e mijëra qytetarëve në sheshet e lirisë, në sheshet e çdo qyteti, në kryeqendrën tonë, veç me një thirrje: Liri për Çlirimtarët! Ferizaj dhe gjithë Kosova, pret çlirimtarët, pret etërit themeltar, ikona të luftës dhe të paqes.

Procedura e ankimimit është pjesë e drejtësisë dhe ne shprehim pritjen që aty të shqyrtohen e të korrigjohet kjo padrejtësi, të rrëzohet tërësisht në të gjitha pikat e tij, ky vendim i pashembullt në drejtësinë ndërkombëtare.

Kuvendi i Komunës shpreh solidaritet me familjet e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, familjet e Dëshmorëve të Kombit, invalidëve e veteranëve të UÇK-së, ish të burgosurve politik, si dhe me të gjithë qytetarët që këtë proces e kanë përjetuar me dhembje, dëshpërim dhe shqetësim.

Kuvendi i Komunës u bën thirrje qytetarëve të Ferizajt dhe të gjithë Kosovës që, përkundër dhembjes dhe emocioneve të forta, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke shprehur qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe institucionale.

Duke pasur parasysh se vendimi u shpall me formulimin “Në emër të popullit të Kosovës” Kuvendi i Komunës së Ferizajt përcjell qartë mesazhin e qytetarëve të tij:

“JO NË EMRIN TIM !”

Kjo është shprehje e mospajtimit me këtë Aktgjykim dhe njëkohësisht e të drejtës për të kërkuar drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së, udhëheqësit e luftës sonë çlirimtare e etërit themeltar të lirisë e shtetësisë sonë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.