Kush mungoi në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku u votua rikthimi i Osmanit?

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar unanimisht propozimin që Vjosa Osmani t’i prijë listës së kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, si dhe të jetë kandidate për presidente. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes deklaroi se vendimi është marrë “në unanimitet të plotë”, duke e cilësuar këtë…

Lajme

09/05/2026 17:12

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar unanimisht propozimin që Vjosa Osmani t’i prijë listës së kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, si dhe të jetë kandidate për presidente.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes deklaroi se vendimi është marrë “në unanimitet të plotë”, duke e cilësuar këtë si momentum historik për partinë.

“Në unanimitet të plotë, LDK votoi propozimin dhe vendimin e kryesisë që në garën e ardhshme Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente, unë për kryeministër, dhe t’i kemi 110 kandidatë për deputet”, tha Abdixhiku.

Megjithatë, në mbledhjen ku u formalizua kthimi politik i Osmanit në LDK, nuk kanë marrë pjesë disa prej figurave të rëndësishme të kësaj partie.

Në Këshillin e Përgjithshëm nuk ishin të pranishëm Kujtim Shala, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami.

Mungesa e tyre merr peshë politike për faktin se vendimi për Osmanin u prezantua nga udhëheqja e LDK-së si akt bashkimi dhe tejkalimi dallimesh brenda partisë.

Pas mbledhjes, reagoi ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili nuk ishte i pranishëm në Këshillin e Përgjithshëm. Përmes një shkrimi në Facebook, ai falënderoi degën e LDK-së në Rahovec për besimin që t’i hyjë edhe një mandate gare për deputet.

Hoti shtoi se LDK mbetet më e madhe se çdo individ, duke dhënë disa mesazh në ditën kur partia vendosi për kthimin e Osmanit në krye të listës zgjedhore.

“LDK ka qenë dhe do të mbetet më e madhe se secili individ. Emrat vijnë e shkojnë, por LDK mbetet shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci, shtetndërtim dhe orientim perëndimor. Asnjë individ nuk mund të jetë mbi LDK-në, sepse forca e saj buron nga struktura, anëtarësia dhe historia e saj e lavdishme”, ka shkruar Hoti.

Ai bëri thirrje për mobilizim, duke thënë se Kosova “nuk ka nevojë për pushtet absolut, propagandë dhe mentalitet komunist që e sheh shtetin si pronë partie”.

“Prandaj, bashkë dhe me vendosmëri, do të angazhohemi për ta rikthyer Kosovën në rrugën e duhur dhe për ta rrëzuar këtë logjikë përçarëse e autokratike që përfaqëson kryeministri në ikje”, shkroi Hoti.

Në lidhje me mungesat, kreu i kësaj partie e arsyetoi me faktin se “jo në të gjitha takimet mund të marrin pjesë të gjithë njerëzit e LDK-së”.

Ai shtoi se “ata janë pjesë e listës garuese. Jo në gjitha takimet mund të marrin pjesë të gjithë njerëzit e LDK-së.”