Kurti tha se e refuzuan ftesën për takim, Tahiri: Nuk e kemi marrë asnjë ftesë, mos të flasim për kërkesat për pazare në Whatsapp

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit i cili ka thënë se PDK e ka refuzuar ftesën për takim. Tahiri sot para mediave ka thënë se nuk e ka refuzuar asnjë ftesë për takim pasi sipas tij nuk i ka ardhur asnjë ftesë normale në adresë…

Lajme

22/04/2026 13:00

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit i cili ka thënë se PDK e ka refuzuar ftesën për takim.

Tahiri sot para mediave ka thënë se nuk e ka refuzuar asnjë ftesë për takim pasi sipas tij nuk i ka ardhur asnjë ftesë normale në adresë të tyre.

“PDK-ja s’ka refuzuar asnjë takim. PDK-së nuk i ka ardhur asnjë ftesë formale në adresë të saj. Kemi shkuar në të gjitha takimet ku jemi ftuar në raundin e parë, në secilën ditë dhe në secilin vend. Kemi pritur katër javë të plota në raundin e dytë, pas afatit 34 ditor të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë ftesë zyrtare në adresë të PDK-së nuk ka ardhur. Mos të flasim pastaj për mesazhet e Whatsapp-it, me kërkesa për pazare, të cilët, thënë butësisht ishin edhe qesharakë. PDK-ja e trajton me seriozitet shtetin, të cilin ka dhënë kontribut kyç për ta formuar dhe ndërtuar”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se nëse vendi shkon në zgjedhje, është pasojë “kryekëput e papërgjegjësisë së Kurtit, mungesës së vullnetit politik dhe dëshirës për kontroll absolut institucional prej tij”.

 “Pas aktgjykimit u takova me LDK’në, PDK’ja refuzoi. LDK’së ia kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit. Pastaj, PDK’së për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit, po thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”, kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti.