Zgjedhjet sërish në horizont – KQZ paralajmëron vështirësi të mëdha pas një serie procesesh zgjedhore brenda një viti
Mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, nëse deri më 28 prill nuk arrihet zgjedhja e presidentit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pritet të krijojë një situatë të re sfiduese për Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), institucion që vetëm gjatë vitit të kaluar ka menaxhuar një sërë procesesh zgjedhore. Pas një…
Lajme
Mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, nëse deri më 28 prill nuk arrihet zgjedhja e presidentit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pritet të krijojë një situatë të re sfiduese për Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), institucion që vetëm gjatë vitit të kaluar ka menaxhuar një sërë procesesh zgjedhore.
Pas një viti të ngarkuar zgjedhor, ku janë organizuar zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt, zgjedhjet lokale më 12 tetor, përfshirë edhe raundin e dytë për kryetarë komunash më 9 nëntor, si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, një proces i ri zgjedhor do të vinte si një tjetër sfidë për administratën zgjedhore të vendit.
Në një prononcim për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se organizimi i zgjedhjeve të reja në një periudhë kaq të shkurtër kohore paraqet një ngarkesë të konsiderueshme për institucionin, por njëkohësisht mbetet detyrim kushtetues që duhet përmbushur pa hezitim, shkruan lajmi.net.
“Mbajtja e një tjetër procesi zgjedhor, në një interval kaq të shkurtër pas zgjedhjeve të fundit dhe pas gjithë atyre proceseve zgjedhore të vitit të kaluar, natyrisht se paraqet një ngarkesë dhe sfidë të konsiderueshme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe administratën e tij. Megjithatë, si institucion i përhershëm me përgjegjësi themelore për organizimin e zgjedhjeve, KQZ mbetet e obliguar të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zhvillimin e çdo procesi të ri zgjedhor, sa herë që kjo kërkohet”, ka deklaruar Elezi.
Sipas tij, pavarësisht lodhjes institucionale dhe burimeve të kufizuara që mund të paraqiten në këtë kontekst, KQZ është e përgatitur të përmbushë detyrimet e saj ligjore dhe të sigurojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në përputhje me standardet demokratike dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Një cikël i ri zgjedhor do të kërkonte mobilizim të menjëhershëm të stafit, rishikim të planeve operacionale, si dhe angazhim shtesë financiar dhe logjistik. Për më tepër, do të ishte e nevojshme rifreskimi i listave zgjedhore, trajnimi i komisionerëve dhe sigurimi i gjithë infrastrukturës së nevojshme për një proces të rregullt dhe transparent.
Ndërkohë, zhvillimet politike në vend mbeten vendimtare për të përcaktuar nëse Kosova do të hyjë në një tjetër proces zgjedhor, apo nëse Kuvendi do të arrijë të zgjedhë presidentin brenda afatit të përcaktuar.
Në çdo skenar, KQZ mbetet në vijën e parë të garantimit të procesit demokratik, duke u përballur me sfida të vazhdueshme, por duke mbetur e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor në vend.
Ndërkohë, lidhur me zhvillimet politike, kryeministri Albin Kurti është deklaruar sërish sot se partitë opozitare nuk i kanë numrat e nevojshëm për të propozuar një kandidat për president, pasi kërkohen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve në Kuvend. Ai përmendi Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke theksuar se këto subjekte, të ndara, nuk e plotësojnë këtë kusht.
“Le të më gjejnë një njeri më të mirë se Konjufca. Të gjithë e dini se kanë mendim më të mirë për Glaukun se sa për mua. Dihet se s’i kanë numrat as për të kandiduar sepse u duhen 30 nënshkrime e LDK veç 15 deputetë pra as gjysmën për aplikim e lë për fitim. Kurse PDK 22 se plotëson kushtin as për aplikim. Nëse do të bëheshin këto bashkë, do ta kishin një kandidat dhe t’i përdorin kriteret që i përdorin për neve. Një kandidat jashtë skenës politike aktuale dhe të ecim përpara. Më shumë se kaq s’mund të bëjmë”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se për Lëvizja Vetëvendosje kandidat për president mbetet Glauk Konjufca, ndërsa theksoi se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet dhe se opozita duhet të reflektojë për mbështetjen që ka marrë nga qytetarët.
“Në vend që të analizojnë situatën e të pranojnë çka vendosi populli jo s’bën ky jo s’bën ai. Vitin e kaluar 50 herë thanë s’bën Albulena tani e kanë kryetare e ushtruese detyre të presidentit. Të jemi të arsyeshëm mos t’i shpenzojmë mbi 10 milionë euro për zgjedhje e t’i humbim miliona të tjera”, është shprehur ai. /Lajmi.net/