Kurti: Shteti nuk do të tolerojë degradimin e natyrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë aktivitetit për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, ka theksuar se qeveria synon një qasje të re ndaj mbrojtjes së mjedisit, duke e vendosur shtetin në rol aktiv në parandalimin e dëmeve. Ai deklaroi se shteti nuk duhet të qëndrojë neutral kur dëmtohet natyra, duke shtuar se “pasuritë…

Lajme

22/04/2026 13:08

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë aktivitetit për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, ka theksuar se qeveria synon një qasje të re ndaj mbrojtjes së mjedisit, duke e vendosur shtetin në rol aktiv në parandalimin e dëmeve.

Ai deklaroi se shteti nuk duhet të qëndrojë neutral kur dëmtohet natyra, duke shtuar se “pasuritë natyrore nuk janë të askujt veçmas, por janë të të gjithëve bashkë” dhe se zhvillimi nuk mund të vijë duke shkatërruar bazën e jetës.

Kurti theksoi se krijimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës përfaqëson një ndryshim thelbësor në mënyrën se si funksionon shteti, duke u fokusuar në veprim dhe parandalim, e jo reagim të vonuar ndaj dëmeve.

“Shteti nuk e toleron degradimin, por e ndalon dhe e parandalon atë”, u shpreh ai, duke shtuar se për vite me radhë natyra në vend është trajtuar si “hapësirë pa zot”, ku mungesa e ligjit ka lejuar abuzime, por kjo qasje tashmë po ndryshohet rrënjësisht.

Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë mandatit të kaluar janë ndarë mbi 10 milionë euro për rregullimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjve në disa zona të vendit, duke përfshirë Lumbardhin e Deçanit, Sitnicën dhe lumenj të tjerë.

“Ashtu siç jemi zotuar, do t’i mbyllim të gjitha deponitë ilegale dhe do të krijojmë një sistem të ri modern dhe të sigurt për menaxhimin e mbeturinave”, theksoi Kurti.

Ndërsa ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se mbi 100 gardianë do të angazhohen fillimisht në kuadër të Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, të cilët do të raportojnë dëmtimet mjedisore në bashkëpunim me Policia e Kosovës.

Ajo tha se themelimi i kësaj garde përfaqëson një qasje të re shtetërore ndaj mjedisit, ku natyra shihet si pasuri e përbashkët që kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe përgjegjësi afatgjatë. “Garda do të na ndihmojë në monitorim, parandalim të krimeve mjedisore dhe në edukim qytetar”, u shpreh Pacolli.

Ministrja shtoi se tashmë është nënshkruar vendimi për themelimin e gardës, ndërsa paralajmëroi edhe nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi me institucionet përkatëse, duke e cilësuar atë si një aleancë të fortë ndërmjet shtetit dhe qytetarëve.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se themelimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës do të rrisë kapacitetet institucionale për parandalimin dhe reagimin ndaj shkeljeve mjedisore.

Ai shtoi se ky mekanizëm, i konkretizuar përmes bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, synon që asnjë shkelje apo abuzim ndaj mjedisit të mos mbetet pa trajtim. “Si Ministri e Punëve të Brendshme do të jemi në mbështetje të plotë, me qëllim që çdo shkelje të trajtohet dhe çdo abuzim të marrë përgjegjësinë e duhur”, tha Sveçla.