Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e Flora Brovinës: Do të kujtohet për angazhimin publik dhe vlerën e saj humanitare, aktiviste e politike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar pas ndarjes nga jeta të ish-deputetes së PDK-së dhe aktivistes gjatë luftës në Kosovë, Flora Brovinës. Ai ka thënë se Brovina la pas një trashëgimi të gjatë dhe të ngjeshur me përpjekje dhe angazhime humanitare dhe politike, shkruan lajmi.net. “Flora Brovina kishte lindur në Skenderaj, më 30 shtator…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar pas ndarjes nga jeta të ish-deputetes së PDK-së dhe aktivistes gjatë luftës në Kosovë, Flora Brovinës.
Ai ka thënë se Brovina la pas një trashëgimi të gjatë dhe të ngjeshur me përpjekje dhe angazhime humanitare dhe politike, shkruan lajmi.net.
“Flora Brovina kishte lindur në Skenderaj, më 30 shtator 1949, vetëm katër vite pas pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe përfshirjes së saj në Jugosllavi. Ajo i nisi studimet për mjekësi në Beograd, kurse i kreu në Prishtinë, duke u specializuar si pediatre dhe më pas si pediatre klinike në Zagreb. Në rininë e hershme të saj, Brovina punoi edhe si gazetare për shëndetësi dhe çështje sociale në gazetën “Rilindja”, kurse pas diplomimit, Brovina punoi për vite pediatre. Në vitin 1992, pediatrja Flora Brovina e themeloi organizatën Lidhja e Gruas Shqiptare, për mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe për dhënie të ndihmave humanitare e mjekësore. Gjatë viteve ’90, Brovina u bë një aktivistet më të shquara shqiptare në Kosovë, për mbrojtjen e të drejtave të grave, organizimin e protestave të grave kundër regjimit shtypës të Serbisë, kulmuar me angazhimin e saj si doktoreshë në strukturat mjekësore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kurti për biografinë e Brovinës.
Ai ka kujtuar arrestimin dhe burgosjen e saj nga forcat serbe më 20 prill të vitit 1999.
“Në ditët e fundit të luftës, ajo u transferua bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë në Serbi, si pengje lufte të burgosura. Më 9 dhjetor 1999, ajo u dënua nga një gjykatë në Nish me 12 vite burgim, por Gjykata Supreme e Serbisë e ktheu rastin e saj në rigjykim. Pas presionit ndërkombëtar si nga organizatat për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch por edhe nga Parlamenti Evropian, Brovina u lirua nga burgu më 1 nëntor të vitit 2000, pas 19 muajsh të kaluar në burgje”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se Brovina si shkrimtare dhe aktiviste është laureuar me dhjetëra çmime dhe mirënjohje, si “Tucholsky Prize” nga Swedish PEN, PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award më 2000, PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award, Çmimi për Kurajo Qytetare – Heinrich Böll Foundation, Millennium Peace Prize for Women, më 2001 etj.
“Flora Brovina ishte deputete e Kuvendit të Kosovës në gjashtë legjislatura, nga viti 2001 deri më 2019, rrjedhimisht edhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Flora Brovina, do të kujtohet nga populli i Kosovës dhe do të njihet nga historia e vendit tonë për angazhimin e saj publik dhe veprën e saj kulturore, humanitare, aktiviste dhe politike. Ngushëllime familjes Brovina, bashkëveprimtarëve të saj dhe gjithë qytetarëve të Kosovës!”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: