Kurti: Nuk e kam marrëveshjen sekrete Kosovë – Serbi, ama ka marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në seancën ku pritet të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga ai.

Lajme

25/03/2020 22:39

Kurti tha se vendimarrja e LDK-së është në Bradash dhe Prapashticë, duke iu referuar Agim Veliut dhe Isa Mustafës, shkruan lajmi.net.

Ai më tutje tha se kjo e ka pamundësuar dialogun për vazhdimin e koalicionit me LDK-në.

“Së pari, më lejoni ta falënderoj ministrin e mbrojtjes Anton Quni që e shtriu dorën e dialogut, dua ta falënderoj ministrin Quni dhe ato 3 elemente që kanë qenë si kushte në fakt janë çështje të dialogut që ne të merremi vesh, por më vjen keq që kjo dorë e dialogut u pre me shpatën e gjatë prej Bradashit dhe duhet t’iu them se kjo është vështirësia ime si kryetar i LVV-së në këtë qeveri që vendimarrja e partnerit tim nuk është në Prishtinë është jashtë Prishtinës, është në Prapashticë e Bradash. Nuk është në këtë sallë. Edhe 50 ditë të qeverisjes, kjo ka qenë ndër arsyet e vonesa e deri tek ngatërresat. Pra, unë po ua them hapur bindjen time nga ky bashkëpunim i deritanishëm. Vendimarrjen në LDK e kanë ata që shkuan ta takojnë Grenellin, por unë nuk mendoj se dikush duhet të shtrihet tek Grenelli. E zëvendëskryeministri, ministri i brendshëm e Skender Hyseni kanë marrë fuqi nga lartë dhe kjo është reflektuar edhe në qeverisjen time. Fuqia vendimarrëse duhet të vijë veç nga populli. Nuk ka legjitimitet nga lartë. Legaliteti vjen nga lartë, por jo legjitimiteti. Dhe këtë problem që e kam pasur këto 50 ditë e kam edhe sonte dhe më vjen keq që nuk po mund ta bëjmë dialogun sepse pa u bërë 10 minuta ai reagoi.”, tha Kurti.

Më tutje Kurti tha se ai po rrëzohet që të dobësohet ose të njolloset por të vazhdojë t’i kryej punët e Kosovës.

Ai gjithashtu e ka thënë se ka një marrëveshje sekrete midis Kosovës dhe Serbisë, por nuk e din se cila është ajo.

“Deputeti Tasholli e tha interesant, edhe kur bie qeveria dha qeveri në detyrë është. Pra ti je kryeministër, ti na i bën punët, por ne po të rrëzojmë njëherë e ti vazhdo. Kjo në njëfarë mënyre tregon një lloj të vërtete të kësaj seance. Qëllimi është që kjo qeveri që ka këtë aurë kaq të mirë dhe këtë mbështetje duhet të cenohet, duhet të goditet, duhet të njolloset, duhet t’i zbresë fuqia dhe legjitimiteti. Pra ne do të vazhdojmë me detyra, por jo me atë fuqi. Ky është kuptimi i seancës së mosbesimit. Nuk është për me kry punë dikush tjetër. Mirëpo, duhet t’iu dobësojmë, duhet t’iu vyshkim. Më tej, marrëveshja sekrete ta publikoj unë, po a mendoni se po ta kisha do të kisha mbajtur të fshehtë. Marrëveshjen nuk e kam sepse ajo është sekrete. Ama ka marrëveshje. Dhe ajo marrëveshje është motorri edhe i asaj seance.”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu ka thënë se ai përfaqëson interesat e Kosovës dhe nuk mund të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen Kosovë – Serbi.

“Unë besoj që në këtë rrethanë me trysni të madhe e politika afatshkurta ku jemi më shumë mënyrë se qëllim po e them është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë ku është marrëveshja e gatshme e nëse ti nuk pajtohesh duhet të dalësh kundër, atëherë dëmtohen marrëveshjen me SHBA-të. Ata nuk mund ta nënshkruajnë marrëveshjen pa më thyer mua njëherë, sepse jam qe dy palë zgjedhje njeriu më i votuar. Prandaj nuk është bërë marrëveshja në shtëpi të bardhë. Po Vuçiqi i thotë Thaçit pa m kallxu që ti je bosi nuk mund të nënshkruajmë. Ky është konteksti bukur i thjeshtë.”, tha Kurti. /Lajmi.net/