Kurti në Jerevan: Anëtarësimi i Kosovës në BE dhe NATO, garanci për stabilitetin e rajonit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e tetë të Komunitetit Politik Evropian, ku ka qenë pjesë e dy paneleve kryesore: “European Coalition Against Drugs” dhe “Reinforcing Democratic Resilience and Addressing Hybrid Threats”. Gjatë samitit, Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve…

Lajme

04/05/2026 23:15

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e tetë të Komunitetit Politik Evropian, ku ka qenë pjesë e dy paneleve kryesore: “European Coalition Against Drugs” dhe “Reinforcing Democratic Resilience and Addressing Hybrid Threats”.

Gjatë samitit, Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve euro-atlantike.

Ai bëri të ditur se ka biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Në kuadër të takimeve bilaterale, Kurti është takuar gjithashtu me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden, kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo, si dhe me Princin Albert II of Monaco.

Po ashtu, ai ka zhvilluar takim edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, me të cilin diskutoi për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në rrugën drejt integrimit euro-atlantik, duke e konsideruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO si thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon, si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Ai gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e njohjes së Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, si dhe avancimin e statusit të saj në shtet kandidat për anëtarësim në BE, si hapa kyç drejt një procesi të bazuar në merita.