Kurti kërkoi hapjen e tyre, por çfarë dihet për arkivat e Serbisë?
Gërmimet që po zhvillohen në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet për një varrezë masive me viktima të luftës së fundit në Kosovë, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një çështje që prej vitesh mbetet e pazgjidhur: hapjen e arkivave shtetërore, ushtarake dhe policore të Serbisë. Gjatë vizitës në vendin e gërmimeve, kryeministri…
Lajme
Gërmimet që po zhvillohen në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet për një varrezë masive me viktima të luftës së fundit në Kosovë, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një çështje që prej vitesh mbetet e pazgjidhur: hapjen e arkivave shtetërore, ushtarake dhe policore të Serbisë.
Gjatë vizitës në vendin e gërmimeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ekipet në terren kanë gjetur mbetje të tjera mortore dhe se procesi i kërkimeve mund të zgjasë edhe me muaj, pasi eshtrat janë të shpërndara. Ai përsëriti kërkesën që Serbia të deklasifikojë dokumentacionin që lidhet me luftën në Kosovë, duke argumentuar se vetëm kështu mund të ndihmohet në zbardhjen e fatit të më shumë se 1.500 personave që ende konsiderohen të zhdukur, transmeton lajmi.net.
Kurti akuzoi Beogradin se, në vend që të hapë arkivat e forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake, po arreston persona që kanë dhënë informacione për krimet e luftës. Ai veçoi dosjen e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se është klasifikuar që nga viti 2014 për një periudhë 30-vjeçare, duke e bërë të pamundur qasjen deri në vitin 2044. Sipas tij, kjo dosje mund të përmbajë të dhëna të rëndësishme për krimet e kryera në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës.
Por çfarë përmbajnë këto arkiva?
Sipas ekspertëve që merren me dokumentimin e krimeve të luftës, arkivat e ushtrisë, policisë dhe shërbimeve të sigurisë së Serbisë besohet se përmbajnë raporte operative, urdhra ushtarakë, dokumente për lëvizjen e njësive, regjistra të transferimit të trupave dhe materiale të inteligjencës nga operacionet në Kosovë.
Këto dokumente mund të ndihmojnë në identifikimin e varrezave masive, rindërtimin e zinxhirit të përgjegjësisë dhe sqarimin e fatit të personave që vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Ekspertët vlerësojnë se, edhe pse jo çdo krim është dokumentuar zyrtarisht, qasja e plotë në arkiva mund të çojë në zbulimin e informacioneve të reja për shumë raste që kanë mbetur të pazbardhura.
Një prej dosjeve që konsiderohet me rëndësi të veçantë është ajo e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kërkuar prej vitesh hapjen e saj, duke argumentuar se dokumentet lidhen me operacionet ushtarake në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe me zhvendosjen e trupave të viktimave drejt varrezave masive në Serbi.
Megjithëse Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të Brukselit, janë zotuar për qasje në informacione të besueshme dhe dokumente të klasifikuara për personat e zhdukur, deri më tani Serbia nuk ka lejuar qasje të plotë në arkivat e institucioneve që vepruan gjatë luftës.
Pikërisht për këtë arsye, gjetjet e fundit në Zubin Potok kanë rikthyer kërkesat që dokumentacioni i klasifikuar në Beograd të hapet, me shpresën se mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të familjarëve që prej më shumë se 27 vitesh presin përgjigje për më të dashurit e tyre./lajmi.net/