Kurti e “shpërblen” Gërvallën me një tjetër pozitë – e emëron koordinatore kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore

Kryeministri i Albin Kurti ka emëruar zëvendëskryeministren e dytë dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla‑Schwarz, koordinatore kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore. Kurti ka bërë të ditur se ky emërim synon të forcojë përkushtimin institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, duke e cilësuar atë si…

Lajme

13/03/2026 22:15

Kryeministri i Albin Kurti ka emëruar zëvendëskryeministren e dytë dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla‑Schwarz, koordinatore kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Kurti ka bërë të ditur se ky emërim synon të forcojë përkushtimin institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, duke e cilësuar atë si çështje të sigurisë njerëzore dhe të drejtave themelore, transmeton lajmi.net.

“Ky emërim forcon përkushtimin institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, si një çështje të sigurisë njerëzore dhe të drejtave themelore”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij, përpjekjet për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme dhe po trajtohen si përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore.

Kryeministri ka theksuar se përmes bashkëpunimit ndërsektorial është zbatuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022–2026), ku mbi 94 për qind e aktiviteteve janë zbatuar ose janë në proces zbatimi.

Ai ka përmendur edhe mbështetjen financiare për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale për viktimat e dhunës, duke bërë të ditur se për periudhën 2021–2025 janë ndarë rreth 7.3 milionë euro për forcimin e kapaciteteve të tyre.

Ndër hapat e ndërmarrë, Kurti ka përmendur edhe lansimin e Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat, si dhe miratimin e Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Ai ka shtuar se me ndryshimet në Kodi Penal i Kosovës, dhuna ndaj grave tashmë është e përcaktuar si vepër penale dhe për rastet e dhunës në familje dhe dhunimit seksual janë paraparë edhe dënime plotësuese.

Kurti i ka uruar suksese Gërvalla-Schwarz në këtë detyrë, duke shprehur besimin se do të vazhdojë forcimi i mekanizmave për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga çdo formë dhune. Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar parandalimin, mbrojtjen dhe drejtësinë për të gjitha gratë dhe vajzat./lajmi.net/