Kurti: Çështja në Hagë do kohë e shumë nerva, s’bëjmë mrekulli nëse votojmë projektligj- pa president sot, Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thirrur një konferencë për media, në të cilën ka deklaruar se çështjen e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë asnjëherë nuk e kanë ndërlidhur me zhvillimet e brendshme politike e institucionale, e as me çështjen e presidentin. Kurti përpara mediave në Qeveri deklaroi se janë tema të ndara,…
Lajme
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thirrur një konferencë për media, në të cilën ka deklaruar se çështjen e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë asnjëherë nuk e kanë ndërlidhur me zhvillimet e brendshme politike e institucionale, e as me çështjen e presidentin.
Kurti përpara mediave në Qeveri deklaroi se janë tema të ndara, por të dyja janë që e tejkalojnë një parti, e të gjitha partitë, janë çështje të interesit të përbashkët shtetërorë e kombëtarë.
“Për 4 të dënuarit në shkallë të parë ne besojmë për korrigjim në Apel në njërën anë, e në anën tjetër një strategji shtetërore e kombëtare për të fituar këtë betejë.Por, nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi përpara nesh e të cilat i kemi të gjithë së bashku. Pra, çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes. Sepse mos zgjedhja e tij ose saj na çon direkt në zgjedhje e jo vetëm që na çon në zgjedhje por na pamundëson që të merremi me strategji shtetërore, por edhe me Apelin që në fakt është shumë i ngutshëm”,deklaroi Kurti.
Ai tha se s’mund të merremi me Apelin vitin e ardhshëm, por duhet të merremi që në këtë muaj.
“Pa president sot, Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje dhe pa institucione funksionale,në këto rrethana është emergjente çështja e presidentit që ta zgjedhim e ta heqim këtë presion mbi shtetin e të kemi energjinë, vëmendjen e mendjen te lufta e popullit për liri, e ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë në burg në Hagë, ata janë dënuar në shkallë të parë ndërkohë sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje sikur nuk ka ndodhur asgjë”,shtoi ai, transmeton lajmi.net.
Kurti deklaroi poashtu se duhet trajtuar me sinqeritet e çështja ashtu do të marrë kohë e angazhim e besa do edhe shumë nerva.
“E s’do bëjmë kurrfarë mrekullie brenda natës se votojmë një projektligj”,theksoi ai.
“Për këtë duhet të jemi të përgatitur të gjithë. E për ta bërë më të rëndë me mos-votimin e presidentit sonte shkojmë brenda orësh në zgjedhje.Është paradoksale e dëmshme të thuash se s’ka temë më të rëndësishme se ajo e Gjykatës e të dërgosh vendin në zgjedhje për president.Për prioritet që kemi gjëja e parë që duhet të bëjmë është heqja e pengesave imediate që kemi të gjithë ne bashkë”,tha Kurti.
I pari i Qeverisë tha se kjo është çështja e presidentit.
“Gjykata Speciale është temë në horizon përpara, por sot e sonte ne kemi temën e presidentit që me pamaturi mund të na errësojë edhe më tutje këtë horizont duke na çuar në zgjedhje”./Lajmi.net/