Kurti për tensionet mbrëmë: Policia është më tolerante dhe profesionale se në kohën kur unë organizoja protesta

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se do të mbahet edhe një mbledhje për të diskutuar hapat e mëtejmë lidhur me situatën politike dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Kurti ka thënë se tani duhet të flasin edhe partitë e tjera dhe të tregojnë nëse janë të gatshme që vendi të mbetet pa President dhe të…

Lajme

06/10/2026 15:52

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se do të mbahet edhe një mbledhje për të diskutuar hapat e mëtejmë lidhur me situatën politike dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Kurti ka thënë se tani duhet të flasin edhe partitë e tjera dhe të tregojnë nëse janë të gatshme që vendi të mbetet pa President dhe të shkojë në zgjedhje të reja, raporton lajmi.net

“Ne do të mbajmë edhe një mbledhje që të shohim se çka do të bëjmë në rrugën përpara. Duhet të flasin të tjerët se a janë me të vërtetë të vendosur që Kosovën mos ta lënë pa President e të ngelim me ushtrues detyre e të shkojmë në zgjedhje të reja apo jo”, tha Kurti për media.

Duke folur për protestat e fundit në Prishtinë, Kurti ka thënë se ka qëndruar në Kuvend deri pas mesnatës dhe se nuk i di të gjitha detajet rreth zhvillimeve në protestë dhe ndërhyrjes së Policisë.

“Sa i përket protestave, unë kam qenë këtu deri pas mesnatës, asnjëherë nuk kam qenë diku tjetër, nuk i di hollësitë e protestave si ndërhyri policia, çfarë bënë protestuesit më herët. Por e di që janë dërguar edhe disa raste në Inspektoratin Policor për të parë nëse ka pasur ndonjë sjellje të tepruar ndonjë polici”, u shpreh ai.

Kurti ka thënë se pamjet e publikuara mund të ndihmojnë në vlerësimin e sjelljes së Policisë gjatë protestave, duke krahasuar situatën me protestat e organizuara vite më parë.

“Ju i shihni tashmë sjelljet e policisë në xhirime se tashmë ka më shumë pamje se sikur 10 apo 15 vitesh kur unë organizoja protesta e shihni që policia është më tolerante dhe profesionale se në atë kohë”, tha Kurti për media./Lajmi.net/