Kurti-Abdixhiku propozojnë Sejdiun për President, AAK dhe Hoti shprehen kundër

Akordi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të propozuar profesorin universitar dhe ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, për President të Republikës së Kosovës, është pritur me valë skepticizmi nga opozita, duke përfshirë edhe figura nga vetë radhët e LDK-së. Kryetari i LDK-së, Lumir…

Lajme

31/08/2026 19:51

Akordi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të propozuar profesorin universitar dhe ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, për President të Republikës së Kosovës, është pritur me valë skepticizmi nga opozita, duke përfshirë edhe figura nga vetë radhët e LDK-së.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mbrojti figurën e Sejdiut duke vënë në pah bagazhin e tij në drejtësi, diplomaci dhe botën akademike, duke kujtuar përvojën e tij si ambasador në Turqi, konsull i përgjithshëm në Nju Jork dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese (2015–2021). Nga ana e tij, Sejdiu deklaroi se e ka pranuar këtë përgjegjësi për t’i shërbyer shtetit.

Megjithatë, emri i akorduar mes partive do të ballafaqohet menjëherë me filtrin rigoroz të arkitekturës kushtetuese.

Rregullat për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkojnë konsensus të gjerë: Kushtetuta kërkon dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve, pra 80 vota në dy rundet e para; vetëm në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, me kushtin e panegociueshëm që në procesin e votimit të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Goditja e parë dhe më domethënëse ndaj këtij kompromisi erdhi nga vetë brendësia e LDK-së, transmeton nacionale. Ish-kryeministri dhe deputeti Avdullah Hoti deklaroi publikisht dhe prerazi refuzimin e tij për të mbështetur këtë kandidaturë.

Në reagimin e tij, Hoti thase vendimi i tij buron nga parimi institucional dhe jo nga animoziteti personal, duke vlerësuar se Sejdiu nuk përfaqëson një figurë unifikuese dhe as nuk reflekton vlerat dhe interesat e elektoratit të LDK-së:

“Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter,” deklaroi ndër të tjera Hoti, duke shtuar se mënyra e imponuar e kësaj zgjidhjeje po dëmton identitetin politik të LDK-së.

Refuzim kategorik ka shfaqur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Avni Arifi, në një deklaratë për Klan Kosova, bëri të qartë se subjekti i tij refuzon të bëhet pjesë e marrëveshjeve dypalëshe:

“Ne nuk jemi pjesë e projektit Kurti-Abdixhiku. U takon atyre të sqarojnë. Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur para tre muajsh. Për ne asgjë nuk ka ndryshuar,”theksoi Arifi.

Po ashtu, zyrtari i AAK-së, Burim Ramadani, e cilësoi marrëveshjen si “lojë me shtetin” për ndarje postesh, duke vënë në dyshim seriozitetin e saj:

“Pse s’po e thirrin sot seancën e Kuvendit? Mos të ishte lojë me shtetin kjo marrëveshja dypartiake, Kuvendi do të konstituohej menjëherë sot. Tash marrëveshjen për ndarje të posteve e kanë.”

Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës u bë e ditur se do të mblidhet Kryesia, ku mes diskutimeve do të jetë edhe çështja e Presidentit.