Kur do të formohet qeveria, ja përgjigjja e Muratit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka treguar arsyet pse e votuan për nënkryetare të Kuvendit Tanja Vujoviqin nga Lista Serbe. Ai para gazetarëve, pasi u konstitua Kuvendi, tha se zgjedhjen e nënkryetarit nga Lista Serbe e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e sivjetmë. “Çështja e nënkryetarit nga komuniteti joshumicë serb është e përcaktuar…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka treguar arsyet pse e votuan për nënkryetare të Kuvendit Tanja Vujoviqin nga Lista Serbe.
Ai para gazetarëve, pasi u konstitua Kuvendi, tha se zgjedhjen e nënkryetarit nga Lista Serbe e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e sivjetmë.
“Çështja e nënkryetarit nga komuniteti joshumicë serb është e përcaktuar në Kushtetutë. Gjatë vitit të kaluar kemi insistuar edhe proceduar tutje me votimin e zotëri Nenad Rashiq. Por Gjykata Kushtetuese ka thënë se nuk duhet të ketë kandidatë të tjerë, përderisa Lista Serbe e ka shumicën dhe nënkryetari i Kuvendit i takon Listës Serbe. Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, jo ne”, tha ai.
Murati tregoi pse ndryshuan qëndrimin për votimin e Kujtim Shalës të LDK-së për nënkryetar të Kuvendit.
“Ky hap i vullnetit të mirë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje të shihet si i tillë dhe deputetët e tjerë të opozitës të reflektojnë në mënyrë që për presidentin të qëndrojnë në sallë dhe mos të dërgojmë në zgjedhje të reja”, shtoi Murati.
I pyetur se a do të thërrasin sot seancë për formimin e qeverisë, ai tha se qeveria do të formohet shpejt.
“Besoj se do të duhej të ftohej shumë shpejt. Ne jemi të përkushtuar që të formojmë institucionet”, theksoi Murati.
Ai kërkoi nga gjashtë deputetët e LDK-së që të votojnë emrin e Bekim Sejdiut për president, pas konstituimit të Kuvendit.
“I takon grupit parlamentar të LDK-së të përcaktojë sesi të procedohet tutje. Ne jemi të përkushtuar që të kemi zgjidhje dhe të ketë president vendi. Kandidatin e kemi, është profesor doktor Bekim Sejdiu dhe iu takon atyre. Pavarësisht deklarimeve individuale që mund të kenë pasur deputetët e LDK-së, besoj se pas hapit të sotëm nga ana jonë, që të votojmë nënkryetarin e tyre, konsiderojmë të ketë reflektim edhe nga ana e deputetëve individualë që të qëndrojnë në Kuvend”, përfundoi ai.
Në seancën e sotme nuk mori pjesë PDK-ja. E njëjta kishte tërhequr edhe kandidaturën për nënkryetare të Kuvendit.