Kryetarët e disa komunave u bëjnë thirrje qytetarëve për protestat e 25 shtatorit në mbështetje të UÇK-së

Kryetarët e disa komunave të Kosovës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestat dhe tubimet e paralajmëruara për të premten, më 25 shtator, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka ftuar qytetarët që të mblidhen në sheshin “Mentor Tolaj”, nga ora 17:00, në…

Lajme

24/09/2026 15:39

Kryetarët e disa komunave të Kosovës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestat dhe tubimet e paralajmëruara për të premten, më 25 shtator, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka ftuar qytetarët që të mblidhen në sheshin “Mentor Tolaj”, nga ora 17:00, në një protestë që, sipas tij, organizohet në mbrojtje të UÇK-së dhe vlerave të luftës për liri.

“Mbështesim UÇK-në, nderojmë atdheun”, ka shkruar Ramosaj në thirrjen e tij.

Edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e së premtes, e cila do të mbahet nga ora 17:30 në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”.

Lladrovci ka deklaruar se protesta organizohet me ftesë të organizatave të dala nga lufta dhe ka ftuar qytetarët të shprehin mbështetjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ai ka theksuar se pjesëmarrja duhet të jetë “me dinjitet, qetësi dhe në mënyrë demokratike”, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si luftë për çlirimin e Kosovës.

Thirrje për pjesëmarrje ka bërë edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi. Në Rahovec, protesta është paralajmëruar të mbahet më 25 shtator, nga ora 17:00, në Sheshin e Qytetit.

Në Prizren, tubimi paqësor do të mbahet në Sheshin “Shadërvan”, nga ora 19:00. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në tubim, i cili, sipas njoftimit të tij, organizohet nga fëmijët e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta.

Ndërkohë, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka ftuar qytetarët që nga ora 17:00 të mblidhen në Sheshin “Adem Jashari”, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe për të shprehur qëndrimin e tyre lidhur me zhvillimet pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

Protestat dhe tubimet janë paralajmëruar në disa qytete të Kosovës gjatë ditës së premte, më 25 shtator 2026.