Kryeministri Kurti nderon dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në akademinë përkujtimore për 35-vjetorin e rënies

Sot u mbajt akademi përkujtimore nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shënim të 35-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore e veteranë dhe invalidë të luftës.…

Lajme

02/11/2024 18:30

Sot u mbajt akademi përkujtimore nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shënim të 35-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore e veteranë dhe invalidë të luftës.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi se përmes protokollit shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ne e institucionalizojmë edhe më fuqishëm veprën e dëshmorëve Zhitia dhe Fazliu në qenien dhe në identitetin e shtetit tonë të pavarur e sovran.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, e ndjej gjithë peshën aq të rëndë por edhe aq të çmuar të veprës së heronjve të popullit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, e ardhur si një amanet politik për të gjithë ne, një amanet që duhet rilexuar veçanërisht në përvjetorët e rënies së tyre”, deklaroi ai në fjalën e tij.

Duke rikujtuar jetën dhe veprën e tyre, kryeministri përmendi angazhimin e Afrim Zhitisë në organizimin e protestave dhe demonstratave, kohë gjatë së cilës ai u njoh me Fahri Fazliun, me të cilin do të përjetësoheshin në historinë e Kosovës, të dy së bashku, nga ajo kohë e deri sot dhe përgjithmonë.

“Gjithë çfarë kishin vepruar dhe gjithçka nëpër çfarë kishin kaluar Fahriu dhe Afrimi, u provua dhe u sprovua më 2 nëntor 1989, kur të dy rezistuan të armatosur përballë njësiteve speciale të policisë, derisa ranë dëshmorë. Me aktin e tyre të rezistencës dhe qëndresës, Afrimi dhe Fahriu e përkryen veprën e tyre politike në një shembull të përbashkët, si dy shokë të idealit, si dy dëshmorë të kombit, si dy heronj të popullit tonë liridashës”, tha ai.

Në këtë akademi përkujtimore, ndër të tjera kryeministri theksoi se amaneti i Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë u vazhdua nga shokët dhe bashkëveprimtarët e tyre, disa prej të cilëve ishin të pranishëm në sallë, ndërsa të tjerë u përjetësuan gjatë rrugës së lirisë, sikur vëllai i Fahriut, Bahri Fazliu, pastaj Agron Rrahmani, Ilir Konushevci, Zahir Pajaziti dhe shumë luftëtarë të tjerë. 

“Dëshmorët janë të vetmit luftëtarë për liri të atdheut dhe për përparim të kombit, që me veprimtarinë e tyre e kanë përmbyllur llogarinë e obligimeve ndaj atdheut dhe kombi”, përfundoi kryeministri Kurti.