Krasniqi për pezullimin e dialogut strategjik: Degradimi i raporteve tona me SHBA-në i konvenon vetëm kundërshtarëve të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit me një tubim në Prishtinë. Kryetari i partisë, Memli Krasniqi, në fjalimin e tij para simpatizantëve dhe qytetarëve, u ndal te zhvillimet e fundit politike në vend, duke i cilësuar ato si të dëmshme për të ardhmen e Kosovës.…

Lajme
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit me një tubim në Prishtinë. Kryetari i partisë, Memli Krasniqi, në fjalimin e tij para simpatizantëve dhe qytetarëve, u ndal te zhvillimet e fundit politike në vend, duke i cilësuar ato si të dëmshme për të ardhmen e Kosovës.
Sipas Krasniqit, veprimet e fundit të Qeverisë kanë çuar në përkeqësimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dëmtuar partneritetin strategjik që Kosova ka ndërtuar ndër vite. Ai theksoi se kjo situatë i shkon vetëm për shtat kundërshtarëve të shtetësisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Ditëve të fundit kemi parë zhvillime që nuk i bëjnë nder Kosovës sonë. Veprime që po i sjellin dëme të pariparueshme shtetit për të cilin kanë sakrifikuar gjenerata të tëra. Degradimi i raporteve tona me SHBA-në i konvenon vetëm kundërshtarëve të Kosovës. Kjo është pasojë e një qeverisjeje që zgjedh konfliktin mbi bashkëpunimin dhe popullizmin mbi përgjegjësinë”, u shpreh Krasniqi.
Ai ftoi qytetarët që të bashkohen rreth një vizioni të përbashkët për një Kosovë stabile, që ecën përpara dhe nuk mbetet peng i krizave të njëpasnjëshme.
“Është koha për një politikë që kryen punë, që mban fjalën dhe u shërben qytetarëve pa dallim. Një Kosovë ku qytetarët ndihen të sigurt, me perspektivë dhe zhvillim”, shtoi ai.
Në këtë nisje të fushatës, kryetari i PDK-së ritheksoi edhe mbështetjen për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, duke shprehur bindjen se ata do ta fitojnë betejën për drejtësi dhe do të kthehen së shpejti në atdhe.
Krasniqi theksoi se PDK do të garojë në zgjedhjet komunale të 12 tetorit me kandidatët dhe programet më të mira për qytetarët në të gjitha komunat e Kosovës./lajmi.net/