Krasniqi: Kujt i konvenon që lajm i ditës të ishte vandalizmi?!

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka vlerësuar se protesta është rregullator i demokracisë, por ka theksuar se vandalizmi i shfaqur në protestën e djeshme ishte i papranueshëm dhe se ai çon ujë në mulli të huaj.  

Lajme

25/01/2015 10:55

“Nuk ka as edhe një dyshim se demokracia në Kosovë është para një kolapsi. Pothuajse asnjë pushtet nuk është duke funksionuar si duhet dhe në përputhje me ligjet në fuqi. Gjatë këtyre viteve të pavarësisë jo vetëm që nuk kemi pasur ngritje të kapaciteteve administrative, funksionalitet e azhuritet të ngritur, por kemi pasur rënie të dukshme deri në degradim.

Kulmi i këtij degradimit, pa dyshim që ishin bisedimet serbo- shqiptare me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, ka shkruar Krasniqi në një shkrim të tij autorial.

Protesta ishte e nevojshme edhe për t’i treguar arrogancës së numrave në Kuvend, se aty mund t’i kesh dy të tretat, por dy të tretat në Protestë janë më shumë dhe lehtë mund ta përmbysin shumicën në Kuvend. Protestat gjithnjë duhet të jenë paqësore, pasi i gjithë tehu i tyre ishte i drejtuar kundër keq përdoruesve të pronës publike e kombëtare. Kundër keqqeverisjes, jo vetëm nga megalomania e numrave te ministrave e zëvendësministrave

Arroganca dhe vandalizmi i shfaqur nga ana e një grupi të protestuesve jo vetëm që është e pa pranueshme, por veprimet e tilla çojnë ujë në mulli të huaj dhe në rastin tonë ndihmuan keqpërdoruesit e keqmenaxhuesit e parasë publike e cila do të shfaqet edhe me rastin e riparimit të dëmeve të shkaktuara nga njerëz të pa përgjegjshëm te futur në radhët e protestuesve. Si prona shtetërore dhe ajo private duhet të ruhet si drita e syrit.

Është në përgjegjësinë e organizatorit, që asnjëherë më, mos të lejoj veprime të tilla dëmtuese për pronën private a publike si dhe, as të dëmtoi qëllimin e porosinë e Protestës! Në vend që në lajmet e mbrëmjes të flitej për mesazhet e protestës, për pjesëmarrjen masive te qytetarëve, u fol për vandalizmin e një grupi të vogël pjesëmarrësish. A ishte ky qëllimi i organizatorit? Jam i bindur që ky, në asnjë formë nuk ishte qëllimi?! Kujt i konvenoj që lajm i ditës të ishte vandalizmi e jo porositë e protestës?! Vet Protesta, me pjesëmarrjen e qytetarëve fliste më shumë se folësit e saj!”, ka shkruar pos tjerash Krasniqi në një shkrim të tij të gjatë autorial.