KOSTT dënon ndërtimet e paligjshme pranë linjave të tensionit të lartë, një e tillë është ndërtuar në Drenas
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë, KOSTT, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ndërtimet e paligjshme pranë stabilimenteve energjetike të tensionit të lartë, një dukuri që po përsëritet kohëve të fundit. Sipas KOSTT-it, ndërtimet e paligjshme në afërsi dhe nën trasetë e linjave të tensionit të lartë përbëjnë rrezik të…

Lajme
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë, KOSTT, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ndërtimet e paligjshme pranë stabilimenteve energjetike të tensionit të lartë, një dukuri që po përsëritet kohëve të fundit.
Sipas KOSTT-it, ndërtimet e paligjshme në afërsi dhe nën trasetë e linjave të tensionit të lartë përbëjnë rrezik të madh për jetën e qytetarëve dhe cenojnë stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Një rast i tillë është evidentuar edhe në Komunën e Drenasit, ku është konstatuar ndërtimi i një objekti ndërtimor pranë linjës 220kV L206, ndërmjet shtyllave nr. 11 dhe nr. 12, e cila lidh nënstacionet “NS Drenas – SSH Drenas”.
KOSTT ka njoftuar inspektoratin komunal dhe organet përgjegjëse për ndërmarrjen e masave ligjore ndaj këtij rasti. Sipas kompanisë, ndërtimet e paligjshme jo vetëm që shkelin rregulloret për zonën e sigurisë, por rrezikojnë furnizimin me energji elektrike për qytetin e Drenasit dhe zonat përreth.
Në një apel për ndërgjegjësim, KOSTT ka kërkuar nga qytetarët dhe institucionet përgjegjëse të respektojnë distancat minimale të sigurisë për infrastrukturën energjetike, duke theksuar se çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe do të referohet tek organet e drejtësisë.
KOSTT mbetet i përkushtuar në garantimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.