​Kosova shet pak e blen shumë, importet arrijnë vlerën afro 5 miliardë euro vetëm për tetë muaj

Të dhënat zyrtare nga Dogana e Kosovës tregojnë se deficiti tregtar është thelluar gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2026 (janar-gusht), krahasuar me periudhat e njëjta të viteve 2025 dhe 2024. Nga janari deri në gusht 2026, vlera e importeve totale arritën në 4 miliardë e 970 milionë euro (4.97 miliardë euro), ndërsa eksportet në…

Lajme

27/09/2026 15:10

Të dhënat zyrtare nga Dogana e Kosovës tregojnë se deficiti tregtar është thelluar gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2026 (janar-gusht), krahasuar me periudhat e njëjta të viteve 2025 dhe 2024.

Nga janari deri në gusht 2026, vlera e importeve totale arritën në 4 miliardë e 970 milionë euro (4.97 miliardë euro), ndërsa eksportet në 726.5 milionë euro. Si rezultat, deficiti tregtar arriti në 4.25 miliardë euro (pa përfshirë shërbimet).

Krahasuar me 8-mujorin e vitit 2025, kur deficiti ishte rreth 3.73 miliardë euro, hendeku tregtar është rritur për rreth 520 milionë euro. Ndërsa, në raport me periudhën janar-gusht 2024, kur deficiti ishte 3.43 miliardë euro, rritja është mbi 800 milionë euro.

Sipas të dhënave, importet në vitin 2026 arritën nivelin më të lartë në korrik, me 717 milionë euro, pasuar nga gushti me 665.4 milionë euro.

Kina dhe Gjermania prijnë listën e furnizuesve kryesorë të Kosovës. Importet nga Kina arritën në 674.7 milionë euro, ndërsa nga Gjermania në 670.2 milionë euro.

Në anën tjetër, produktet vendore vazhduan të gjejnë treg kryesisht në vendet e rajonit. Eksportet drejt Maqedonisë së Veriut arritën në 119.3 milionë euro, ndërsa drejt Shqipërisë në 118.7 milionë euro.

Në periudhën janar-gusht 2025, importet ishin rreth 4.33 miliardë euro, ndërsa eksportet rreth 604.5 milionë euro. Mbulimi i importeve nga eksportet ishte rreth 14%.

Në periudhën e njëjtë të vitit 2024, importet arritën në 4.047 miliardë euro, ndërsa eksportet në 612.8 milionë euro. Deficiti tregtar ishte 3.43 miliardë euro, ndërsa eksportet mbulonin rreth 15.1% të importeve.

Këto të dhëna tregojnë se, pavarësisht rritjes së eksporteve në vitin 2026, rritja më e madhe e importeve ka thelluar disbalancën tregtare. Kjo rikonfirmon nevojën për fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore.

Kosova gjatë vitit 2025 ka shënuar nivelin më të lartë të importit ndonjëherë, duke arritur në 7.11 miliardë euro, ndërsa eksporti ka kapur vlerën prej 943 milionë euro.