Kosova në mes të zhvillimeve Serbi-Rusi, paralajmërohen skenarë të rinj të destabilizimit dhe luftës hibride
Zhvillimet politike në Serbi dhe mbështetja e Rusisë ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, mund të kenë ndikim edhe në Kosovë, vlerëson eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi cili në një prononicm për Kosovapress ka thënë se Kosova vazhdon të përdoret nga Beogradi si instrument politik. Sipas tij, Serbia po e përdor çështjen e Kosovës…
Lajme
Zhvillimet politike në Serbi dhe mbështetja e Rusisë ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, mund të kenë ndikim edhe në Kosovë, vlerëson eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi cili në një prononicm për Kosovapress ka thënë se Kosova vazhdon të përdoret nga Beogradi si instrument politik.
Sipas tij, Serbia po e përdor çështjen e Kosovës në funksion të politikës së brendshme, veçanërisht për mobilizimin e elektoratit përmes nacionalizmit.
“Realisht ata veçse kanë filluar ndikimin e zgjedhjeve të tyre në Kosovë, për shkak se dëshirojnë që përveç tjerash t’i manipulojnë serbët në Kosovë, po ashtu dëshirojnë edhe të inflexojne nga fusha e nacionalizmit dhe në këtë formë ta përdorin vazhdimisht, siç e kanë përdorur në të kaluarën Kosovën si mjet për të fituar pushtetin nacionalistët dhe për të vazhduar, ose më mirë thënë, radikalistët në Serbi. Dhe si të tillë ata vetëm janë duke përdorur Kosovën në dy leva: leva e parë është për ta ruajtur pushtetin e tyre, ndërsa leva e dytë është për t’u shfaqur si një faktor stabiliteti dhe destabiliteti pra konkretisht pushteti ose regjimi i Vuçiqit synon që duke thënë që ne mund ta destabilizojmë rajonin ashtu siç kemi mundësitë e tyre, dhe po ashtu se mundet edhe ta mbajmë stabil rajonin dhe varet nga fitorja jonë gjithçka për rajonin. Dhe si të tillë, atëherë ata janë duke e nxitur masat në Serbi dhe po ashtu edhe diplomacinë ndërkombëtare që të mos bëjnë presion shumë ndaj Aleksandër Vuçiqit, të cilit do t’i mundësohet që ta humbë pushtetin. Pra, si të tillë janë që tani duke përdorur Kosovën si levë dhe po ashtu edhe serbët në Kosovë. Dhe përveç tjerash janë duke bërë edhe presion të jashtëzakonshëm ndaj misioneve ndërkombëtare që të mundësojnë të mbahen zgjedhjet në formë ilegale brenda Republikës së Kosovës çfarë siç i kanë mbajtur në të kaluarën.” U shpreh ai.
Eksperti i sigurisë ka thënë se Beogradi, përmes kësaj qasjeje, synon të paraqitet njëkohësisht si faktor që mund të ndikojë në stabilitetin e rajonit, por edhe si faktor që mund të shkaktojë destabilizim.
Ai ka komentuar edhe mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin, ndaj Vuçiqit, duke e cilësuar atë si tregues të vazhdimit të afërsisë strategjike mes dy vendeve.
“Ky mesazh i tanishëm tregon që ata deri më tani në asnjë moment nuk kanë bërë ndonjë politikë të largimit nga orbita ruse të Serbisë dhe po ashtu nuk ka pasur sukses që çdo shfaqje tjetër të jetë e cila do ta afronte Serbinë me Perëndimin. Si e tillë, atëherë Putini ka ofruar një përkrahje të plotë, duke treguar që strategjia e tyre është e njëjësuar. Dhe kur e kemi parasysh që ‘Bota Serbe’ është krijuar pikërisht në periudhën kur është publikuar dhe shenjtëruar nga Kisha Ortodokse Ruse edhe ‘Bota Ruse’, atëherë e kemi parasysh që tani është një koordinim i plotë i strategjisë së tyre të unifikimit dhe multipolarizmit global si strategji e cila ka për synim shtrirjen e Serbisë dhe Rusisë në gjithë Ballkanin.” Tha ai.
Duke folur për sigurinë në rajon, eksperti ka ngritur shqetësimin edhe për bashkëpunimin e Serbisë me Rusinë dhe zhvillimet që lidhen me luftën hibride.
Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë e përgatitur për skenarë të ndryshëm, përfshirë kërcënimet kibernetike dhe përpjekjet për destabilizim përmes incidenteve apo nxitjes së konflikteve.
“Por megjithatë, ne duhet të mbesim vigjilentë për shkak se nxitja e luftës hibride nga Rusia tashmë është duke u bërë në forma shumë të mëdha. Dhe kur e dimë që Serbia ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Rusinë, atëherë kjo përbën një kërcënim shumë të madh. Bashkimi Evropian është duke u përgatitur me hapa shumë të mëdhenj dhe Kosova duhet t’i bashkëngjitet këtyre çështjeve që të mbrohet, për shkak se ata përveç kërcënimeve terroriste në stilin konvencional mund të bëjnë edhe luftë hibride përmes kibernetikës, po ashtu edhe përmes destabilizimit që mund të ketë çështje të ndryshme që mund të ndodhin përmes përfshirjes së incidenteve që kanë të bëjnë me grupacionet e ndryshme dhe nxitje të konflikteve të cila kanë të bëjnë me raste . të iniciuara si ndonjë rrahje fiktive ose diçka e tillë.” U shpreh Kuci për Kosovapress.
Ai ka vlerësuar se përballë zhvillimeve në rajon, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të jenë të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në fushën e sigurisë, inteligjencës dhe mbrojtjes nga kërcënimet hibride.