Kosova fajëson Serbinë për pritjet e gjata nëpër pikat kufitare
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit për Kufi në Policinë e Kosovës, Shaban Guda, kanë vizituar Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.
Lajme
Me këtë rast, ministri Mustafa dhe drejtori Guda u njoftuan për së afërmi me sfidat me të cilat përballen zyrtarët policorë dhe zyrtarët e doganës në këtë pikë kalimi kufitar, ku vlerësuan mobilizimin e Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës, në këtë kohë kur ka shtim të fluksit të udhëtarëve që kalojnë në këtë pikë kalimi kufitar gjatë sezonit veror, transmeton lajmi.net.
“Kolonat në këtë pikë-kalim kufitar vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara, probleme tek pala kosovare nuk ka, për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta. Gjithashtu pala serbe ende nuk është transferuar në objektin e ri të Pikës së Përbashkët Kufitare në Merdare që është ndërtuar nga UNOPS-i”, tha Mustafa.
Ministri Mustafa u bëri apel bashkatdhetarëve që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera të kalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe potencoi se Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, janë të mobilizuara në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive që kanë në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë dhe vendet tjera. /Lajmi.net/