Korenica: Presim rezultate pozitive ndaj Zvicrës dhe Suedisë

Meriton Korenica është shprehur optimist për dy sfidat e muajit shtator që Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Kosova ka nisur përgatitjet për ciklin e ri, ku më 5 shtator do të përballet me Zvicrën në Bazel dhe më 8 shtator do të presë Suedinë në…

Sport

02/09/2025 16:22

Meriton Korenica është shprehur optimist për dy sfidat e muajit shtator që Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Kosova ka nisur përgatitjet për ciklin e ri, ku më 5 shtator do të përballet me Zvicrën në Bazel dhe më 8 shtator do të presë Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Seanca e dytë stërvitore u mbajt sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, me pjesëmarrjen e të gjithë futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda.

Pas stërvitjes, mesfushori Meriton Korenica foli për gjendjen e skuadrës dhe pritjet e tij për dy ndeshjet e para të këtij cikli.

“Po përgatitemi maksimalisht për këto dy ndeshje. Stërvitja sot ka shkuar shumë mirë. Të gjithë djemtë janë të motivuar për ndeshjen e parë. Shpresoj të bëjmë më të mirën dhe të japim maksimumin pasi dihet që dihet se është një ndeshje e vështirë, por gjithçka po shkon shumë mirë dhe shpresoj që të japim maksimumin dhe pse jo të marrim rezultat pozitiv”, tha fillimisht Korenica.

Ai shtoi se Kosova ka përballë kundërshtarë të fortë, por ekipi synon rezultate pozitive.

“Janë dy kombëtare shumë të forta, si Zvicra ashtu edhe Suedia, por presim rezultate pozitive, pasi kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve. Të gjithë janë të motivuar dhe mezi i presin ndeshjet”.

Korenica u ndal edhe te përkrahja e pritshme nga diaspora në Bazel:
“Pres përkrahjen e të gjithëve në Bazel, pasi atje ka shumë shqiptarë dhe shpresoj se të bëjmë më të mirën dhe t’i kënaqim edhe ata që do të vijnë ta shikojnë ndeshjen”.

Stërvitja e radhës e Dardanëve është caktuar për të mërkurën, më 3 shtator, nga ora 11:00, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.