Konjufca: VV i ka emrat për presidentin, por ata s’do bëhen publik para takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka përcaktuar emrat që mund të propozojë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por ata nuk do të bëhen publikë para takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Konjufca ka thënë se VV-ja dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë të…

Lajme

26/08/2026 11:36

Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka përcaktuar emrat që mund të propozojë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por ata nuk do të bëhen publikë para takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se VV-ja dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë të gatshëm për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, në këtë takim pritet të diskutohen emrat konkretë për presidentin e ardhshëm.

Ai ka vlerësuar se gatishmëria e LDK-së për takim krijon një mundësi të re për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin.

“Prej momentit kur LDK-ja është deklaruar se është e gatshme për takime dhe se takimi i radhës do të zhvillohet përmes propozimit të emrave konkretë për presidentin e ardhshëm, e kemi parë këtë si një mundësi të mirë. Besoj se ekziston një probabilitet i madh që të arrihet një marrëveshje për presidentin. Kurdo që të zhvillohet takimi mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit Abdixhiku, besoj se diskutimi dhe negociatat do të përqendrohen pikërisht te propozimi i emrave konkretë”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka bërë të ditur se emrat nga ana e VV-së tashmë janë përcaktuar, por ka theksuar se publikimi i tyre para takimit do ta dëmtonte procesin e negociimit.

“Lëvizja Vetëvendosje është gati, kryeministri Kurti është gati dhe emrat i kemi. Megjithatë, nuk mund t’i bëj publikë, sepse kjo do ta humbte kuptimin e procesit të negociimit. Besoj se edhe LDK-ja së shpejti do të jetë gati, pasi kryetari Abdixhiku ka deklaruar se kjo javë do të jetë ajo në të cilën do të zhvillohet takimi”, ka thënë ai.

Konjufca ka shtuar se deri më tani kryeministri Kurti nuk ka marrë një ftesë konkrete nga LDK-ja për përcaktimin e datës së takimit, ndërsa ka shprehur shpresën se ai do të zhvillohet së shpejti.

“Jemi në pritje që takimi të ndodhë. Kur kjo të realizohet, mendoj se do të jemi shumë afër një marrëveshjeje për presidentin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Konjufca.

Ndërkaq, ai ka thënë se i vjen keq që takimi nuk u zhvillua gjatë javës së kaluar, por ka theksuar se e kupton nevojën e partive për kohë shtesë në përcaktimin e kandidatëve.

“Më vjen keq që u humb java e kaluar. Mendoj se nuk ishte e nevojshme, por, megjithatë, e mirëkuptojmë nevojën për kohë shtesë. Kjo nuk është një çështje e thjeshtë. Partitë kanë nevojë të përcaktojnë emrat konkretë të kandidatëve që do të propozohen dhe më pas të punohet për arritjen e një pajtueshmërie”, ka deklaruar Konjufca.