Çeku paralajmëron botuesit: Librat dolën në shitje para kohe, prindërit duhet të kompensohen
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka thënë se çështja e teksteve shkollore pritet të marrë fund brenda ditës, me përfundimin e negociatave për çmimet dhe caktimin e vlerës së subvencionimit. “Tashmë jemi krejt në fund të negociimit. Besojmë që brenda ditës me e përmbyll dhe me caktu edhe vlerën e subvencionit…
Lajme
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka thënë se çështja e teksteve shkollore pritet të marrë fund brenda ditës, me përfundimin e negociatave për çmimet dhe caktimin e vlerës së subvencionimit.
“Tashmë jemi krejt në fund të negociimit. Besojmë që brenda ditës me e përmbyll dhe me caktu edhe vlerën e subvencionit dhe menjëherë me nis me ekzekutimin e pagesave, që prindërit t’i kenë këto ditë deri në nisjen e mësimit të martën, kohë të mjaftueshme për t’i blerë tekstet dhe materialet shkollore”, ka deklaruar Çeku.
Por, sipas tij, problem mbetet fakti se librat kanë dalë në shitje derisa negociatat me shtëpitë botuese ende nuk kishin përfunduar.
“Ne ishim duke i negociuar çmimet me shtëpitë botuese dhe në atë moment dolën në shitje librat. Kjo është shkelje, nuk bën kështu, sepse nuk ka përfunduar as negociimi, as përcaktimi i çmimeve, as vlera e subvencionit”, ka thënë ai.
Çeku ka bërë të ditur se Ministria do t’u drejtohet organeve përgjegjëse për këtë rast, ndërsa ka kërkuar që prindërit të kompensohen.
“Dhe për atë, ne do t’i drejtohemi organeve përgjegjëse, sepse ata prindër duhet të kompensohen nga ata që e kanë bërë këtë shkelje”, është shprehur ministri në detyrë.
Ai ka thënë se tashmë vëmendja është te përfundimi i negociatave dhe transferimi sa më i shpejtë i mjeteve.
“Ne tashmë fokusin e kemi te kjo fazë ku jemi. Duhet ta përfundojmë negociimin, vlerën ta caktojmë të subvencionimit dhe të bëhen transferet shumë shpejt, në mënyrë që prindërit në këto ditë të mbetura – pra katër-pesë ditë deri në nisjen e vitit shkollor – të kenë kohë të mjaftueshme që bashkë me fëmijët e tyre t’i blejnë tekstet dhe materialet”, ka deklaruar Çeku.
Ndërkohë, ai ka thënë se janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Të gjitha përgatitjet janë në atë drejtim. Sot ishim edhe në këtë diskutimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku edhe policia konfirmoi që e ka përgatitur planin operativ – këtë që e bën çdo vit – që viti të nisë mbarë: me siguri, me tekste shkollore, me material shkollor dhe me të gjitha përgatitjet e nevojshme që të na shkojë mbarë gjithçka”, ka thënë Çeku. /Lajmi.net/