Konjufca për vizitën e të dyshuarit për spiunazh tek BIA serbe në Zyrën e Kurtit: Institucionet nuk kanë pasur kapacitet ta vërtetojnë kush ishte ai

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka komentuar vizitën në Zyrën e Kryeministrit të Fehim Saliut, i cili është i dyshuar për spiunazh. Konjufca ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kapacitet për ta vërtetuar identitetin e tij në kohën kur ai ishte pjesë e një delegacioni që…

Lajme

26/08/2026 11:34

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka komentuar vizitën në Zyrën e Kryeministrit të Fehim Saliut, i cili është i dyshuar për spiunazh.

Konjufca ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kapacitet për ta vërtetuar identitetin e tij në kohën kur ai ishte pjesë e një delegacioni që kishte vizituar institucionet.

Sipas tij, Saliu kishte qenë pjesë e një delegacioni prej shtatë apo tetë personash.

“Institucionet nuk kanë pasur kapacitet me e vërtetu kush ka qenë ai. Ka qenë pjesë e një delegacioni prej 7-8 vetash”, tha Konjufca.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar deri më 13 gusht i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), me qëllim të përfitimit material.

Prokuroria thotë se ai i ka ofruar BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka ofruar të dhëna për persona që, sipas Prokurorisë, i përkasin sektit vehabi.

Disa prej këtyre personave, thuhet në kërkesë, Sali i ka propozuar si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.