“Konjufca lojal i verbër i antiamerikanizmit të Kurtit”, Edita Tahiri: Deklarata e Grenell në linjë me filozofinë amerikane – kritika thuhet në kohë

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione të Posaçme, Richard Grenell ditët e para në detyrën e re që mori në kuadër të administratës Trump, i nisi me kritika ndaj Kosovës, më saktësisht ndaj zyrtarëve shtetëror. Grenell përmes platformës “X” kritikoi deklaratën e të parit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili…

Lajme

23/01/2025 18:20

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione të Posaçme, Richard Grenell ditët e para në detyrën e re që mori në kuadër të administratës Trump, i nisi me kritika ndaj Kosovës, më saktësisht ndaj zyrtarëve shtetëror.

Grenell përmes platformës “X” kritikoi deklaratën e të parit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili kishte thënë se Administrata Biden e la në pozitë të pafavorshme Kosovën në raport me Serbinë, transmeton lajmi.net.

Grenell iu përgjigj atij duke i thënë se gjatë katër viteve të presidentit, Biden Kosova kishte komplimentuar atë dhe se tani nuk është koha për ankesa.

“Këta shpenzuan katër vite duke komplimentuar Joe Biden-in dhe duke marrë pjesë në konventa dhe festa të tyre. Pse nuk u ankuan më parë?”.

Lidhur me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar ish-negociatoren e bisedimeve Kosovë-Serbi, Edita Tahiri.

Tahiri kritikoi qasjen e kryeparlamentarit Konjufca duke thënë se po tregohet lojal i verbër antiamerikanizmit të Kurtit duke u munduar që ta mbulojë paaftësinë e Qeverisë Kurti në bisedimet Kosovë-Serbi.

“E vërteta e përkrahjes së Amerikës për Kosovën në kohën e ish-Presidentit Biden është se Biden përkrahu njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, që duhet të rezultojë nga Dialogu i Brukselit Kurti-Vuçiç. Por Kurti, me paaftësitë e veta, dështoi sepse solli marrëveshje pa njohje reciproke. Akoma më keq, Kurti prishi marrëdhëniet me SHBA-të duke mos respektuar partneritetin, përkatësisht duke mos u koordinuar me aleatin tonë strategjik, Amerikën, aleancë kjo që e krijuam tash 33 vjet (në vitin 1992). Konjufca, në vend që të pranojë gabimin strategjik të qeverisë Kurti, qenka marrë me kritika duke synuar të mbulojë këto gabime të qeverisë së Kurtit në këtë periudhë fushate, si dhe duke u treguar një lojal i verbër i antiamerikanizmit të Kurtit”, tha fillimisht Tahiri.

Tutje, Tahiri thotë se deklarata e Grenellit është e drejtë dhe është në linjë me filozofinë politike amerikane, pasi mendimet duhet të thuhen hapur në kohë, qofshin ato edhe kritika.

“Sa i takon deklaratës së Grenellit, mendoj se është e drejtë, sepse është në linjë me filozofinë politike amerikane se “mendimet duhet të thuhen hapur dhe me kohë, qofshin edhe kritika”, potencoi Edita Tahiri për lajmi.net.

Kujtojmë që marrëdhënia mes Grenell dhe Qeverisë Kurti nuk ishte e mirë në administratën e parë të Presidentit, Donald Trump, pasi të dy kishin deklarata që kritikonin qasjen e njëri-tjetrit.

Kurti megjithatë pas fitores së Trump uroi presidentin e SHBA-ve duke thënë se Amerika mbetet aleat i fortë i Kosovës.

“Urime President Donald Trump për fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është një aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës dhe ne mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, shkruante Kurti./Lajmi.net/