​Kongresisti Lawler: I nderuar të marr pjesë në meshë së bashku me Kurtin

Kongresisti amerikan Mike Lawler ka njoftuar se ka marrë pjesë në meshën e së dielës së bashku me kryeministrin Albin Kurti, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të New Yorkut. “Isha i nderuar të merrja pjesë në meshë në Kishën ‘Zoja e Shkodrës’, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, shkroi…

Lajme

21/09/2026 13:01

Kongresisti amerikan Mike Lawler ka njoftuar se ka marrë pjesë në meshën e së dielës së bashku me kryeministrin Albin Kurti, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të New Yorkut.

“Isha i nderuar të merrja pjesë në meshë në Kishën ‘Zoja e Shkodrës’, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, shkroi ai në platformën X.

Lawler tha se kjo ishte një mundësi e rëndësishme për t’u bashkuar në besim dhe për të kremtuar komunitetin shqiptaro-amerikan.

Ai shprehu mirënjohje për mundësinë e bashkëbisedimit me Kurtin dhe pjesëtarët e komunitetit.

“Festuam vlerat, besimin dhe trashëgiminë tonë të përbashkët”, shkroi kongresisti amerikan.

Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Kosovës ka informuar për një takim që pati dje, sipas kohës lokale në SHBA, me Lawler.

“Kryeministri e informoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë votimin e Qeverisë së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 13 shtator, si dhe për gatishmërinë e Qeverisë për rifillimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, me një agjendë konkrete për sigurinë, energjinë, investimet dhe sundimin e ligjit”, thuhet në një njoftim të qeverisë së Kosovës, në lidhje me ketë takim. “Po ashtu u theksua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dypalësh, ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushën e mbrojtjes. Ndërsa, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë, sidomos në energji, teknologji dhe prodhim, si dhe për rolin e mërgatës shqiptare në New York si urë për tregti dhe investime”.