Konferenca zgjati veç 5 minuta, asnjë fjalë për futbollistët e përjashtuar

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën nuk është përmendur asnjë fjalë për përjashtimin e tre lojtarëve para ndeshjes kundër Qipros në udhëtim. Trajneri i kombëtares Franco Foda dhe futbollisti Amir Rrahmani kanë folur shkurtimisht rreth duelit të nesërm në Larnaca nga ora 18:00, por nuk kanë…

Sport

08/09/2024 18:29

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën nuk është përmendur asnjë fjalë për përjashtimin e tre lojtarëve para ndeshjes kundër Qipros në udhëtim.

Trajneri i kombëtares Franco Foda dhe futbollisti Amir Rrahmani kanë folur shkurtimisht rreth duelit të nesërm në Larnaca nga ora 18:00, por nuk kanë përmendur “telashet” me futbollistët e përjashtuar.

Rrahmani ka thënë se do të luajnë vetëm për fitore, pas humbjes bindëse nga Rumania ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” me rezultat bindës 0:3.

“Ndeshja e nesërme është e rëndësishme për ecurinë tonë sepse na jep shanse për kualifikim deri në fund dhe mendojmë të hyjmë për fitore, pasi vetëm fitorja na bënë punë”, ka thënë Rrahmani.

Ndërsa, trajneri Franco Foda ka vlerësuar ekipin kundërshtar si mjaft serioz dhe me futbollistë cilësorë.

“Normalisht kemi analizuar ndeshjet e Qipros, përfshirë edhe ato të fundit, fitoren që kanë arritur në ndeshjen e fundit kundër Lituanisë, por edhe përballjet e tjera që i ka zhvilluar. Kombëtarja e Qipros është një ekip i fortë, i cili individualisht ka disa futbollistë mjaft të mirë dhe të fortë, por sonte në mbrëmje do t’iu shfaqim futbollistëve tanë analizën që kemi përgatitur për lojën me Qipron dhe më pas do të shfaqim pikat e dobëta dhe të forta të ekipit të Qipros, dhe më pas se çfarë do të sjellë ndeshja”, ka thënë Foda.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se largimi i lojtarëve ka ndodhur për shkak se ata kanë thyer rregulloren e ekipit kombëtar.

“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët Arjanet Muriq, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata. Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë, do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ndërkohë, ekipit do t’i bashkohet portieri që ka qenë në listën e pritjes, Faton Maloku nga FC Drita”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Futbollisti Edon Zhegrova ka reaguar pas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës duke thënë se raportimet janë të pavërteta.

“Përshëndetje të gjithëve. Këto janë lajme të pavërteta dhe pa fakte. Unë do të flas në fushë, shihemi së shpejti”, ka shkruar ai në Instagram.