IPK nis inspektim të jashtëzakonshëm| Detaje se si pasi ishte marrë vendim për rikthimin e 4 policëve nga rasti i vrasjes së gruas në oborrin e QKUK-së
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një inspektim të ri lidhur me mënyrën se si është trajtuar në aspektin disiplinor rasti i katër zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan, të cilët ishin suspenduar pas vrasjes së Hamide Magashit, gruas shtatzënë që u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, në nëntor të vitit…
Lajme
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një inspektim të ri lidhur me mënyrën se si është trajtuar në aspektin disiplinor rasti i katër zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan, të cilët ishin suspenduar pas vrasjes së Hamide Magashit, gruas shtatzënë që u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, në nëntor të vitit 2022.
Pothuajse katër vjet pas kësaj ngjarjeje të rëndë, IPK-ja ka bërë të ditur se po verifikon trajtimin e rastit nga Komisioni Disiplinor i Policisë së Kosovës. Ky proces vjen pasi, pas hetimeve fillestare, kallëzimi penal ndaj tre zyrtarëve policorë ishte hedhur poshtë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndërsa suspendimi i katër zyrtarëve ishte ndërprerë në prill të vitit 2023, shkruan lajmi.net.
Më saktësisht Inspektorati ka konfirmuar se ka nisur një inspektim të jashtëzakonshëm për të verifikuar trajtimin disiplinor të rastit nga Komisioni Disiplinor i Policisë së Kosovës.
Në përgjigjen e dhënë për lajmi.net, IPK-ja ka bërë të ditur se hetimet paraprake për veprimet e policisë ndaj Sokol Halilit kishin nisur në dhjetor të vitit 2022, sipas detyrës zyrtare.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se në dhjetor të vitit 2022 sipas detyrës zyrtare Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës’. Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Si rezultat i veprimeve hetimore, si të dyshuar ishin identifikuar katër zyrtarë policorë: Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues. Ndaj tyre ishte rekomanduar suspendimi në interes të procedurës hetimore.
Megjithatë, procedura penale nuk vazhdoi në të njëjtën mënyrë për të gjithë zyrtarët e përfshirë në hetim.
Sipas IPK-së, më 17 mars 2023, ndaj tre zyrtarëve ishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Më 15 qershor 2023, IPK është njoftuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj zyrtarëve policorë në këtë rast. Për detaje shtesë rreth hedhjes së kallëzimit penal dhe arsyetimit për hedhje ju lutem i referoheni Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit për lajmi.net.
Pra, IPK-ja ka konfirmuar se kallëzimi penal ndaj tre zyrtarëve ishte hedhur poshtë nga Prokuroria në qershor të vitit 2023. Ndërkohë, katër zyrtarët e suspenduar nuk qëndruan gjatë jashtë detyrës. IPK-ja ka bërë të ditur se suspendimi i tyre ishte ndërprerë nga Policia e Kosovës më 4 prill 2023.
“Pas dorëzimit të kallëzimit penale në Prokurorinë Themelore kanë pushuar arsyet e suspendimit në interes të hetimit andaj nga Policia e Kosovës është ndërprerë suspendimi më 4 prill 2023”, thuhet në përgjigje.
Pas dorëzimit të kallëzimit penal, rasti ishte përcjellë për trajtim administrativ disiplinor brenda Policisë së Kosovës. Pikërisht mënyra se si është trajtuar kjo pjesë e procedurës është tash në fokus të një procesi të ri nga IPK-ja.
Në përgjigjen për lajmi.net, Inspektorati ka konfirmuar se ka nisur një inspektim të jashtëzakonshëm për të verifikuar trajtimin disiplinor të rastit nga Komisioni Disiplinor i Policisë së Kosovës.
“Sidoqoftë, IPK në bazë të detyrës zyrtare tani ka filluar një proces verifikimi/inspektimi (përmes inspektimit të jashtëzakonshëm) lidhur me trajtimin këtij rasti në aspektin disiplinor nga Komisioni Disiplinor në Policinë e Kosovës dhe varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren veprimet tjera konform autorizimeve ligjore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Nga kjo përgjigje rezulton se IPK-ja është duke e verifikuar trajtimin administrativ disiplinor të rastit, ndërsa veprimet e mëtejshme do të varen nga të gjeturat e inspektimit. Në këtë fazë, Inspektorati nuk ka dhënë detaje të tjera për rezultatet eventuale të procesit të ri.
Si ndodhi vrasja e Hamide Magashit?
Hamide Magashi, 35-vjeçare dhe në muajin e nëntë të shtatzënisë, u vra më 30 nëntor 2022 në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë. Nga të shtënat me armë zjarri humbën jetën si ajo, ashtu edhe foshnja që mbante në bark. Lajmi.net pati raportuar nga oborri i QKUK-së pak minuta pas vrasjes ku trupi i saj ende qëndronte në hapësirat e klinikës Gjinekologjike.
Për vrasjen dyshohej ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili. Rasti shkaktoi reagime të shumta publike, veçanërisht për shkak të historikut të dhunës në familje dhe ekzistimit të një urdhri-mbrojtës për viktimën.
Stacioni Policor në Lipjan ishte përgjegjës për zbatimin e urdhrit-mbrojtës për Hamide Magashin. Për këtë arsye, IPK-ja nisi hetimin për veprimet e zyrtarëve policorë dhe më pas rekomandoi suspendimin e katër prej tyre.
Pas vrasjes, Policia e Kosovës e lokalizoi Sokol Halilin në shtëpinë e tij në fshatin Davidovc të Shtimes, më 2 dhjetor 2022. Ai refuzoi të dorëzohej dhe vrau veten me armë zjarri gjatë tentativës për arrestim.
Vrasja e Hamide Magashit kishte nxitur reagime dhe kërkesa për llogaridhënie institucionale lidhur me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Hamide Magashi është njëra nga 67 gratë e vrara në Kosovë nga dhuna në familje.
Çka tha ministri Xhelal Sveçla për rikthimin e këtyre zyrtarëve policorë?
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se masa e suspendimit ndaj zyrtarëve policorë në rastin e Arlinda Zekaj është vetëm një prej masave, pasi pritet që hetimet që veçse kaën filluar nga Prokuroria Speciale të vazhdojnë.
“Për sa i takon suspendimit të 11 zyrtarëve policorë tashmë e dini se Prokuroria Speciale ka filluar hetimin e rastit dhe suspendimi është një mekanizëm në mënyrë që hetimi të vijoj pa asnjë pengesë, apo tendencë për të devijuar atë.Por, më lejoni të them se nuk do të jetë suspendimi i fundit, meqenëse çfarëdo të gjeture qoftë IPK-ja , qoftë Prokuroria do të ketë ne do të vazhdojmë me kësolloj masash”,deklaroi Sveçla.
Ai është pyetur nga gazetarja e lajmi.net nëse policët do të kthehen në punë siç ishin kthyer zyrtarët policorë të përfshirë për për neglizhencë në rastin e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së.
“Për rastin e Lipjanit, kam kërkuar nga IPK-ja të rifillojë inspektimin e këtij rasti. Është e çuditshme se si zyrtarët policorë janë liruar nga përgjegjësia penale nga prokurorja katër ditë para pensionimit të saj. Mbetet edhe më thellë që kjo çështje të hetohet, por inspektohet puna e komisionit disiplinor dhe atij të ankesave dhe të Policisë së Kosovës sepse pavarësisht përgjegjësisë penale, duhet bërë vlerësim i integritetit të zyrtarit policor veç e veç dhe në paralel me çfarëdo vendimi penal , komisionet duhet të marrin vendimet meritore. Pres së shpejti të kemi rezultatet e para nga ky inspektim i rastit të Lipjanit, meqenëse është përmendur edhe më herët nga mediat, dorën në zemër ka gjëra të çuditshme”,deklaroi ai./Lajmi.net/