Komuna e Istogut favorizon OJQ të caktuara duke i shpërblyer me mijëra euro kundërligjshëm
Istogu ka bërë shkelje në financimin e disa OJQ-vë duke i shpërblyer pa u respektuar kriteret ligjore.
Lajme
Komuna ka favorizuar disa Organizata Joqeveritare në vitin e kaluar duke u ndarë buxhet pa ofruar dëshmitë e nevojshme.
Zyra Kombëtare e Auditmit ka publikuar Raportin e Auditmit për Pasqyrat Financiare të Komunës së Istogut për vitin 2021, ndër tjera ka theksuar edhe këtë shkelje, shkruan lajmi.net.
“Thirrja publike për subvencionim të aktiviteteve sportive e datës 02.05.2020 nuk ishte në përputhje me rregulloren pasi që nuk përmbante: Formularin 9/projekt-propozimin, Formularin 10/projekt buxhetin, dhe të dhëna për kalendarin tentativë të realizimit të thirrjes. Tri OJQ nga kjo thirrje janë përzgjedhur dhe kanë përfituar subvencion në shumë prej 14,500€ pa përgatitur projekt propozim, projekt buxhet dhe pa të dhënat për kalendarin tentativë të realizimit të thirrjes. Po ashtu, këto OJQ nuk kanë dorëzuar raporte kthyese financiare dhe narrative”, thuhet në raportin e ZKA për Istogun.
Sipas auditorit, shkak i kësaj ishte mos funksionimi i mirë i kontrolleve të brendshme, mungesa e zyrtarit monitorues, si dhe mos caktimi i një afati kohor të raportimit në kontratë.
ZKA ka shfaqur rrezikun se thirrja publike për subvencionim të OJQ-ve në kundërshtim me rregulloren si dhe mos monitorimi i subvencioneve rrit rrezikun që mjetet buxhetore të ndahen dhe shpenzohen në kundërshtim me objektivat e komunës.
Kujtojmë se Rregullorja MF-Nr.04/2017 mbi Kriteret Standardet dhe Procedurat e Financimit publik të OJQ-ve, neni 13, përcakton kriteret të cilat duhet ti përmbajë thirrja publike si: Formularin 9/projekt-propozimin, Formularin 10/projekt buxhetin,të dhëna për kalendarin tentativë të realizimit të thirrjes etj. Po ashtu, sipas nenit 23.1 të rregullores së njëjtë Monitorimi dhe raportimi i projekteve dhe programeve përcakton se “Për secilën kontratë të lidhur, ofruesi i mbështetjes financiare cakton një zyrtar përgjegjës i cili duhet kujdeset për monitorimin e implementimit të projektit. Ndërsa në pikën 2 kërkohet nga përfituesi të raporton te zyrtari monitorues, në baza të rregullta, lidhur me zbatimin e projektit/programit, sipas kërkesave të kontratës.
Madje, Auditori ka gjetur se, Komuna nuk ka përcjellë planin vjetor për financim të OJQ-ve në ZKM, pasi që Drejtorit të cilat ofrojnë mbështetje financiare për OJQ-të, kishin dështuar në përgatitjen e planit vjetor. /Lajmi.net/