Komisioni miraton Projektligjin për marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se në mbledhjen e sotme të Komisionit janë miratuar disa nga nismat ligjore të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Kusari-Lila bën me dije që, me 7 vota për dhe 1 abstenim, u miratua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës…
Lajme
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se në mbledhjen e sotme të Komisionit janë miratuar disa nga nismat ligjore të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kusari-Lila bën me dije që, me 7 vota për dhe 1 abstenim, u miratua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.
Sipas saj, ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të integrimit ekonomik në tregjet evropiane me fuqi të lartë blerëse.
“Kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për eksport dhe investime, duke paraparë eliminimin e tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në treg për produktet bujqësore, si dhe rregulla më të qarta për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, përfshirë sektorë si financat, teknologjia e informacionit dhe turizmi” shkroi Kusari-Lila.
Ky është postimi i plotë i saj:
Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës, miratoi disa nga nismat ligjore të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Me 7 vota për dhe 1 abstenim, u miratua Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të integrimit ekonomik në tregjet evropiane me fuqi të lartë blerëse.
Kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për eksport dhe investime, duke paraparë eliminimin e tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në treg për produktet bujqësore, si dhe rregulla më të qarta për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, përfshirë sektorë si financat, teknologjia e informacionit dhe turizmi.
Tregtia me vendet e EFTA-s tashmë po shënon rritje të qëndrueshme, me eksportet që janë rritur nga 77.5 milionë € në vitin 2023 në mbi 100 milionë € në vitin 2025, duke përbërë rreth 10% të eksporteve totale të Kosovës. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje pritet të rrisë më tej praninë e produkteve tona në tregjet ndërkombëtare dhe të forcojë besimin e investitorëve të huaj.
Po ashtu, Komisioni miratoi edhe Protokollet 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s, që mbulojnë tregtinë, shërbimet dhe arbitrazhin, duke lehtësuar tregtinë dhe duke rritur bashkëpunimin rajonal.
Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe Projektligji për Ndërmarrësi dhe Inovacion, i cili vendos bazat për një ekosistem më të zhvilluar sipërmarrës, duke mbështetur startup-et, idetë inovative dhe transformimin ekonomik drejt një modeli të qëndrueshëm dhe të orientuar nga dijenia.
Këto vendime përfaqësojnë hapa konkretë drejt një ekonomie më konkurruese dhe më të integruar, me më shumë mundësi për bizneset tona.
Vazhdojmë me punë dhe përkushtim për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe për krijimin e mundësive të reja për sektorin privat në Kosovë.