KMLDNJ: Shtrenjtimi i rrymës i pamoralshëm dhe i papranueshëm
KLMDNJ thotë se arsyetimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, më shumë ngjanë në mbledhje “të haraçit” se sa përkon me statusin social të qytetarëve. Ky këshill e ka cilësuar vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike si të pamoralshëm dhe të papranueshëm.

Lajme
Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj shtrenjtimit të energjisë elektrike. Nëpërmjet një reagimi ky këshill ka thënë se me këtë vendim, së pari goditen bizneset e mesme dhe amvisëria, ndërsa privilegjohen furnizuesit dhe shpenzuesit e mëdhenj.
“Në radhë të parë do të goditet amvisëria, pensionistët, kategoritë nën përkujdesje sociale si dhe do të dëmtohen shumë bizneset që janë shpenzues të mesëm apo të mëdhenj të energjisë elektrike. Ndërkaq do të privilegjohen furnizuesit dhe shpenzuesit e energjisë elektrike si Ferronikeli etj. që paguajnë çmime më të volitshme se shpenzuesit tjerë”.
“Në Kosovë, me një varfëri prej 65% dhe papunësi mbi 55% është e pamoralshme dhe e papranueshme të dëmtohet në masë aq të madhe interesi i qytetarit i cili nuk është në gjendje t’i paguaj faturat e rrymës, ujit dhe ngrohjes edhe me çmime aktuale e lere më pasi ato të shtrenjtohen”.
KMLDNJ ka kritikuar ashpër Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZREE) duke thënë se kjo zyrë duhet të mbrojë interesat e qytetarëve e jo “të kontribuojë në përkeqësimin e gjendjes së qytetarëve”.
Madje, arsyetimin e ZRRE-së, KMLDNJ e ka quajtur arsyetim politik e cila sipas tyre ngjanë më shumë “në mbledhjen e haraçit” sesa logjikës ekonomike që përkon me statusin social të qytetarëve.
“ZRRE, në radhë të parë duhet t’i mbrojë interesat e qytetarëve, konsumatorëve të energjisë elektrike të cilët pamëshirshëm plaçkiten nga KEDS përmes fryrjes së faturave, tarifave dimërore dhe ngatërrimit të qëllimshëm të këtyre tarifave, mos leximit apo leximit joprofesional të njehsorëve dhe parregullsi të tjera të shumta e jo të kontribuojë në përkeqësimin e gjendjes edhe ashtu të rënduar të qytetarëve të Kosovës. Në të gjitha vendet e rajonit çmimet e energjisë elektrike, ujit, ngrohjes shërbejnë për stabilizim të gjendjes ekonomiko – sociale të qytetarëve ndërkaq në Kosovë shfrytëzohen për varfërimin e qytetarëve që pashmangshëm prodhojnë tensionim të situatës së sigurisë”.
“Arsyetimi i ZRRE për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike është arsyetim ekskluzivisht politik dhe më shumë ngjanë me mbledhje të haraçit se që përcjellë një logjikë ekonomike që korrespondon me statusin social të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës. Konsumatorët nuk duhet të gjobiten përmes detyrimit që të paguajnë çmimin për : “ kosto të gjenerimit, transakcionit , shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike “.
“Këto janë detyrime të KEDS-it që realizon përfitime si asnjë kompani e ngjashme në rajon”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.