“Kjo është e vërteta” – Mevlan Zeka sqarohet për situatën me klubin rumun
Sulmues kosovar, Mevlan Zeka, ka sqaruar arsyen e vërtetë të mungesës te klubi rumun UTA Arad, të cilët kishin deklaruar se do ta padisin në FIFA golashënuesin më të mirë të Superligës së Kosovës në edicionin e fundit. Përmes një reagimi publik, ish-sulmuesi i Suharekës ka bërë të ditur se problemet shëndetësore të gruas së…

Sport
Sulmues kosovar, Mevlan Zeka, ka sqaruar arsyen e vërtetë të mungesës te klubi rumun UTA Arad, të cilët kishin deklaruar se do ta padisin në FIFA golashënuesin më të mirë të Superligës së Kosovës në edicionin e fundit.
Përmes një reagimi publik, ish-sulmuesi i Suharekës ka bërë të ditur se problemet shëndetësore të gruas së tij ishin shkaqet kryesore të mungesës së tij në kampin stërvitor në Rumani.
Zeka ka mohuar pretendimet e UTA Arad se futbollisti është stërvitur me një ekip tjetër, teksa është shprehur i dëshpëruar me fatin e tij.
“Pas përfundimit të fazës përgatitore, klubi na dha dy ditë pushim për t’u kthyer tek familjet tona. Pikërisht në ato ditë mora lajmin për gjendjen dhe situaten serioze me te cilën po kalon bashkëshortja. Pavarësisht se kam analizuar çdo mundësi për t’u rikthyer në Arad, përgjegjësia ime si kryefamiljar, bashkëshort dhe baba ishte më e madhe se çdo detyrim si futbollist. Sugjerimi i mjekut që bashkëshortja ime kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm bëri që vendimi im të ishte i qartë, pasi terapitë që ajo duhej të ndiqte ishin të pamundura të përballoheshin pa praninë time. Unë nuk kam baba, vëllai im nuk jeton në Kosovë, dhe jam i vetmi mashkull në familje, pranë nënës, bashkëshortes dhe djalit tim. Në atë moment, ishte e pamundur të largohesha prej tyre dhe të udhëtoja për në Rumani. Situata ishte e rëndë, dhe si çdo njeri, vendosa ta vë familjen në vend të parë”, thuhet në reagimin e tij publik.
“Nuk është e vërtetë që jam stërvitur apo kam nënshkruar me ndonjë skuadër tjetër, apo që jam larguar pa komunikim. Që nga dita që jam kthyer në Kosovë, nuk kam bërë asnjë seancë stërvitore. Kam shpjeguar situatën në klub dhe kam dorëzuar të gjitha raportet mjekësore që dëshmojnë gjendjen e bashkëshortes sime. Kam bashkëpunuar ngushtë me menaxherin tim për të gjetur një zgjidhje të drejtë për të gjitha palët. Nëse rasti shkon në FIFA, unë do të përballem me çdo situatë dhe do të kërkoj të drejtat e mia si çdo futbollist që është gjendur në situata të tilla. Nuk jam i pari që përballem me këtë sfidë, por shpresoj të jem i fundit, sepse nuk dua të shoh asnjë futbollist tjetër të kalojë atë që po kaloj unë. Kjo është puna jonë, dhe me të mbajmë familjet tona”, ka vazhduar tutje futbollisti.
Sulmuesi i shumë skuadrave kosovare ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga të gjitha të drejtat financiare në mënyrë që të mos e bllokojë klubin rumun, teksa ka falënderuar drejtuesit e klubit për mundësinë e dhënë.
“Kam hequr dorë nga çdo e drejtë financiare për të mos e dëmtuar klubin, sepse e respektoj UTA Arad dhe tifozët e saj. Për mua, ky transferim ishte një ëndërr dhe një hap i madh në karrierë. Është e dhimbshme të mos jem sot në Arad për të luftuar për fanellën e klubit, por ka momente në jetë kur futbolli duhet të ndalet përpara përgjegjësisë ndaj familjes. Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë se, mbi të gjitha, jemi njerëz. Kam besuar dhe ende besoj se çdo marrëdhënie profesionale duhet të mbështetet mbi respekt dhe humanitet”, përfundon reagimi i Zekës.
UTA Arad kishte arritur marrëveshje dy vjeçare me sulmuesin kosovar në fund të qershorit të këtij viti. Pas vetëm disa seancave stërvitore, Zeka ishte larguar nga kampi dhe nuk ishte rikthyer më.
Klubi rumun kishte bërë të ditur dje se do të dorëzonte padi në FIFA kundër Zekës, për shkak se siç deklaronin ata ishin dëmtuar nga sulmuesi kosovar.