Kimmich tregon se si ishte afër largimit nga Bayern kur skuadra drejtohej nga Ancelotti

Njëri nga lojtarët më të mirë të Bayern Munich, Joshua Kimmich, ka bërë të ditur se ishte shumë afër largimit nga skuadra.

Sport

15/04/2019 11:45

Reprezentuesi i Gjermanisë ka thënë se ndihej sikur duhej të largohej nga ‘Allianz Arena’, në mënyrë që të fitonte më shumë minuta për paraqitje.

Kimmich ka pranuar se kishte pasur ngecje që të fitonte vendin e tij në formacion, sidomos gjatë kohës kur në stolin e bavarezëve ishte Carlo Ancelotti.

Lojtari kishte kaluar tek Bayern Munich në vitin 2015, kur u transferua nga Leipzig dhe tani është një prej pjesëve kryesore të skuadrës.

Ai këtë edicion ka pasur një vend ‘të garantuar’ në formacionin e Kovac, por ishte një kohë kur mendonte largimin.

“Ishin disa kohë kur ishte shumë e vështirë për mua që ta shihja të ardhmen time këtu. Isha i pakënaqur me mungesën e minutave dhe mendoja nëse Bayern është skuadra e duhur” ka thënë Kimmich për ‘Welt’, transmeton lajmi.net.

“Në fillim, ata thanë se ai është trajneri perfekt. E nisëm sezonin me fitore, por pastaj disi ishim të pavëmendshëm” ka thënë lojtari duke iu referuar Ancelottit.

“Kishte shumë gabime individuale, për të cilat ai nuk mund të bënte asgjë. Tani, ne kemi skuadrën me kualitet të lartë, kështu që presim shumë” ka thënë ndër të tjerash mbrojtësi i krahut.

Kimmich është lojtari i cili kryen shumë detyra në skuadër. Ai ishte pëlqyer shumë edhe nga Pep Guardiola, i cili e ka cilësuar lojtarin si të rrallë. /Lajmi.net/