Këngë, emocione dhe ankth në Prishtinë, qytetarët presin vendimin për ish-krerët e UÇK-së
Me këngë, rrëfime e emocione, por edhe nën ankth, disa qytetarë kanë kaluar tërë natën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke pritur vendimin për ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Ata janë mbledhur në shesh me shpresën për një vendim lirues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, derisa thonë se presin kthimin…
Lajme
Me këngë, rrëfime e emocione, por edhe nën ankth, disa qytetarë kanë kaluar tërë natën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke pritur vendimin për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Ata janë mbledhur në shesh me shpresën për një vendim lirues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, derisa thonë se presin kthimin e tyre në Kosovë, në vendin për të cilin, sipas tyre, kanë luftuar.
Qytetari Bashkim Jashari nga Batllava tha se natën e kanë kaluar duke pritur lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa theksoi se për të liria e Kosovës nuk mund të ndahet nga kthimi i tyre.
“Jemi tërë natën këtu, na kanë pruar çaj e kafe. Jemi duke e pritur lirimin e tyre. Kjo tokë nuk mundet me pas liri pa qenë ata këtu. Një fëmijë nëntë vjeç që ka dhënë jetën për këtë tokë, ata janë dëshmitarë të tij, e sot me naj marrë ata e me i mbajtë nuk ia vlen dhe çoftë nevoja edhe jetën me dhanë të gjithë po ky shtet nuk duhet asgjë nëse nuk lirohen ata. Qysh e kemi çliruar Kosovën nga serbët, duhet edhe nga kjo Hagë”, tha ai.
Edhe Argjend Sopi nga Podujeva tha se qytetarët presin një vendim lirues, duke e përshkruar pritjen si emocionuese dhe me ankth.
“Besoj që i gjithë populli i Kosovës pret një vendim lirues për krerët e UÇK-së. Janë emocionuese në ankth sidomos për familjarët po edhe për ne. E presim me emocione të shumta. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të shpallen të pafajshëm sepse lufta e UÇK ka qenë e pastër, e drejtë dhe çlirimtare. Nuk dua dhe nuk e mendoj atë pjesë, intuita ka qenë për vendimin lirues, një popull i tërë nuk mund të fajësohet. Dënimi për ta është dënim për popullin”, tha ai.
Në shesh ka mbretëruar atmosferë festive, me qytetarë që kanë kënduar dhe kanë rrëfyer përvojat e tyre gjatë luftës. Arian Dukaj nga Prishtina tha se ndjehet krenar dhe se pret kthimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Shumë mirë kemi kaluar, jemi ndje shumë mirë dhe krenarë. Presim çlirimtarët në vendin e tyre, e meritojnë, nuk është asgjë çka kemi bë mbrëmë, është më e pakta. Jemi shumë krenarë. Nuk besoj negativ, besoj vetëm në të drejtën dhe të mirën”, u shpreh ai.
Edhe Sevdije Sadiku nga Vushtrria tha se natën e kanë kaluar me këngë dhe shpresë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“E kemi kaluar një natë me këngë, vullnet me shpresë të madhe për liri për çlirimtarët tonë. Kemi shumë parolla në emër të popullit kërkojmë lirinë e tyre, shpresoj që kjo gjykatë të marrë një vendim pozitiv. Ne kemi bë një luftë të drejtë, ne nuk kemi bë gjenocid, e as krime lufte. Urojë të ndalen vuajtjet ndaj kombit tonë dhe drejtësia të triumfojë. Kur jam zgjuar kishte foluar zemra me më rrah, me një emocion jo të mirë”, tha ajo.
Ndërsa, qytetari Çlirim Haziri tha se gjatë natës kanë bashkëbiseduar dhe kanë rrëfyer kujtime nga lufta, duke theksuar se pritja do të vazhdojë deri në fund të shpalljes së vendimit.
“Natën e kaluam mirë, kaluam duke bashkëbiseduar, duke treguar rrëfimet tona e të kaluarën për luftën tonë. Vendimin gjithë shqiptarët kudo që ndodhen e presim vetëm një, lirimin e krerëve. Do të presim deri në përfundim të shpalljes së vendimit, i ftoj të gjithë të mblidhemi këtu në shesh. Këtu do presim e festojmë”, u shpreh ai.
Vendimi për ish-krerët e UÇK-së pritet të përcaktojë fatin e procesit gjyqësor që ka zgjatur për disa vite në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë përballur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat ata i kanë mohuar./