KDI: Presidentja në detyrë të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive të Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës i ka bërë thirrje Presidentes në detyrë Albulena Haxhiut, që, pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit. Ata kanë thënë se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka filluar afati kushtetues për konstituimin…
Lajme
Instituti Demokratik i Kosovës i ka bërë thirrje Presidentes në detyrë Albulena Haxhiut, që, pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Ata kanë thënë se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka filluar afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.
Prandaj, KDI kërkon nga ushtruesja e detyrës së Presidentes që:
- pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive, në një afat që mundëson përfundimin e procesit në kohë dhe shmang afrimin e panevojshëm me kufirin kushtetues të 7 gushtit;
- t’u bëjë thirrje publike subjekteve politike parlamentare që të marrin pjesë në mënyrë të plotë dhe konstruktive, në mënyrë që seanca të përfundojë me konstituimin e Kuvendit, dhe jo të mbetet vetëm një veprim formal procedural pa funksionalizimin e plotë të organit më të lartë përfaqësues të qytetarëve.
- ta informojë publikun, brenda 48 orëve, se deri kur do të përfundojnë konsultimet dhe kur pritet të bëhet publike data e seancës konstituive”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
Sipas tyre konstituimi i Kuvendit është një hap i domosdoshëm për rikthimin e funksionimit të plotë të rendit kushtetues dhe për mundësimin e formimit të institucioneve të reja.
“Një Kuvend i konstituuar është parakusht për avancimin e procesit të formimit të Qeverisë së re, zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e, si dhe për ushtrimin e funksionit legjislativ dhe mbikëqyrës të Kuvendit. Prandaj, KDI i bën thirrje Presidentes në detyrë që, në ushtrimin e përgjegjësive të saj kushtetuese, të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit. Veprimi në kohë nuk është vetëm çështje procedure, por është çështje e përgjegjësisë institucionale, llogaridhënies publike dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/