OKB: Janë verifikuar 129 ekzekutime të robërve ukrainas

Një raport i Kombeve të Bashkuara ka konfirmuar 129 raste të ekzekutimit të robërve ukrainas të luftës, ndërsa organizata ka paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të rasteve gjatë vitit të kaluar. Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka ekzekutuar qindra ushtarë ukrainas pasi ata janë dorëzuar ose janë zënë rob që nga fillimi i pushtimit në…

Bota

14/07/2026 16:43

Një raport i Kombeve të Bashkuara ka konfirmuar 129 raste të ekzekutimit të robërve ukrainas të luftës, ndërsa organizata ka paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të rasteve gjatë vitit të kaluar.

Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka ekzekutuar qindra ushtarë ukrainas pasi ata janë dorëzuar ose janë zënë rob që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022. Moska i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Një nga rastet është ai i ushtarit 25-vjeçar Andriy Dubnytsky, i cili u vra në shkurt të vitit 2024 gjatë luftimeve në Avdiivka.

Bashkëshortja e tij tha se mesazhi i fundit që mori prej tij ishte se ai dhe shokët e tij me gjasë do të binin rob. Dy ditë më vonë, ajo e njohu trupin e tij në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Prokuroria ukrainase ka hapur 116 hetime për vrasjen e 306 ushtarëve ukrainas që nga viti 2022, por zyrtarët besojnë se numri real i viktimave është shumë më i lartë, raporton Euronews.

Sipas Konventave të Gjenevës, ushtarët që dorëzohen konsiderohen robër lufte dhe gëzojnë mbrojtje ligjore. Ukraina pretendon se shumica e viktimave janë ekzekutuar me armë zjarri, ndërsa në disa raste janë dokumentuar edhe vrasje tepër brutale.

Rusia nuk iu përgjigj kërkesës së AFP-së për koment mbi këto pretendime.