“Rripi e shpëtoi”, drama e pasagjerit që u tërhoq jashtë avionit të Ryanair

Një incident i frikshëm ka ndodhur në një fluturim të kompanisë Ryanair nga Selaniku drejt Memingenit të Gjermanisë, ku një pasagjer u tërhoq pjesërisht jashtë avionit pasi u thye një dritare menjëherë pas ngritjes. Gruaja e pasagjerit 61-vjeçar ka rrëfyer për mediat momentet dramatike gjatë fluturimit, duke thënë se bashkëshorti i saj ishte ulur pranë…

Bota

14/07/2026 15:00

Një incident i frikshëm ka ndodhur në një fluturim të kompanisë Ryanair nga Selaniku drejt Memingenit të Gjermanisë, ku një pasagjer u tërhoq pjesërisht jashtë avionit pasi u thye një dritare menjëherë pas ngritjes.

Gruaja e pasagjerit 61-vjeçar ka rrëfyer për mediat momentet dramatike gjatë fluturimit, duke thënë se bashkëshorti i saj ishte ulur pranë dritares dhe se rripi i sigurimit i shpëtoi jetën.

Burri im ishte ulur direkt pranë dritares. Për fat të mirë ishte i lidhur me rrip sigurimi, ai rrip ia shpëtoi jetën”, deklaroi ajo për mediat greke.
Ajo tregoi se menjëherë pas thyerjes së dritares e kishte kapur bashkëshortin nga këmbët dhe së bashku me disa pasagjerë të tjerë kishin arritur ta tërhiqnin përsëri brenda avionit.

Kur ai incident ndodhi, në avion shpërtheu kaosi. Maskat e oksigjenit ranë nga tavani dhe disa pasagjerë u kapën nga paniku. Ishte diçka e tmerrshme”, rrëfeu gruaja.
Sipas saj, 61-vjeçari pësoi lëndime në qafë dhe shpatull, si dhe djegie nga fërkimi.

Gjatë incidentit ai kishte humbur disa herë vetëdijen dhe aktualisht po rikuperohet në spital, ndërsa vazhdon të jetë në gjendje shoku dhe nuk i kujton të gjitha momentet e ngjarjes.

Sipas një eksperti teknik të angazhuar nga familja, dyshohet se një pjesë e turbinës së avionit mund të jetë shkëputur dhe ka goditur dritaren, duke shkaktuar thyerjen e saj.

Për shkak të ndryshimit të presionit në kabinë, është krijuar një forcë tërheqëse që e ka nxjerrë përkohësisht pasagjerin jashtë avionit.

Ryanair ka konfirmuar incidentin, duke bërë të ditur se një dritare e pasagjerëve u shkëput menjëherë pas ngritjes.

Kompania nuk ka dhënë detaje për shkakun e ngjarjes, kurse piloti ndërpreu fluturimin dhe u kthye në aeroportin e Selanikut, ndërsa pasagjerët më vonë vazhduan udhëtimin drejt Memingenit me një avion tjetër.