Hamza mbledh deputetët e PDK-së: Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje të proceseve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se kryetari i saj, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me deputetët e zgjedhur të kësaj partie, ku është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe nevojën për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Sipas një komunikate të PDK-së, në takim është…

Lajme

14/07/2026 16:57

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se kryetari i saj, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me deputetët e zgjedhur të kësaj partie, ku është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe nevojën për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Sipas një komunikate të PDK-së, në takim është vlerësuar se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve duhet të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme, ndërsa është kritikuar vazhdimi i bllokadës institucionale.

“Në takim u vlerësua se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve duhet të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme. Vazhdimi i bllokadës institucionale nga ana e partisë në pushtet, pas një periudhe të gjatë pasigurie politike dhe zgjedhjesh të njëpasnjëshme, vetëm sa e thellon krizën, pengon zhvillimin ekonomik dhe dëmton interesin e qytetarëve dhe të shtetit”, thuhet në komunikatë.

PDK ka bërë të ditur se deputetët e zgjedhur ritheksuan se Kosovës i nevojiten institucione të afta për t’u përballur me sfidat aktuale, me fokus në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në komunikatë thuhet se partia i bën thirrje subjektit politik që ka dalë i pari në zgjedhjet parlamentare që të marrë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për zhbllokimin e procesit të krijimit të institucioneve.

“Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik, institucione funksionale dhe vendimmarrje që u përgjigjet pritjeve të qytetarëve, jo për zvarritje të proceseve që dëmtojnë interesin publik dhe të ardhmen e vendit”, thuhet në fund të komunikatës së PDK-së. /Lajmi.net/