Kancelarja Merkel i bashkohet tubimit të myslimanëve në Berlin

Kancelarja gjermane i është bashkuar tubimit të organizuar sonte në Berlin nga organizatat myslimane për të promovuar tolerancën fetare.

Bota

13/01/2015 20:46

“Gjermania e hapur dhe tolerante” është motoja e tubimit që është organizuar te Porta e Brandenburgut në Berlin.

Organizatorët kanë bërë me dije se përmes këtij tubimi kanë për qëllim ta promovojnë tolerancën fetare, që t’i dënojnë sulmet terroriste në Paris dhe për ta qortuar rritjen e lëvizjes anti-islamike në Gjermani.

Ndërkohë, sot janë mbajtur ceremonitë e varrimit për shtatë viktima të sulmeve terroriste, që kanë ndodhur javën e kaluar në Francë.

Në Paris, presidenti i Francës, Francois Hollande ka nderuar tre policët që janë qëlluar për vdekje nga islamikët, duke thënë se Franca kurrë nuk do të dorëzohet përballë sulmeve.

Hollande u është bashkuar qindra të afërmve dhe zyrtarëve policorë në ceremoninë e varrimit.

Dy oficerë – Franck Brinsolaro dhe Ahmed Merabet- janë vrarë gjatë sulmit më 7 janar kundër javores satirike Charlie Hebdo.

Policja Clarissa Jean-Philippe është vrarë një ditë më vonë, në një sulm të ngjashëm.

Po sot, në Jerusalem janë varrosur katër viktimat hebraike të sulmit në një dyqan të Parisit.

Ceremonia është ndjekur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.