“Kam qenë i vetmi përgjegjës” Valon Berisha kishte pranuar se mori paratë nga BKS-ja, kërkoi mundësi t’i kthente me këste- fillimisht 100 mijë euro

Një aksion të gjerë hetues ka nisur prej kohësh në kuadër të ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe disa njerëzve të tjerë. E sot, qysh në orët e para të mëngjesit Prokuroria e Prizrenit bashkë me mbi 300 zyrtarë policorë nisën aksionin e gjerë që vuri nën pranga ish-drejtorin e BKS-së, Sami Mazreku si…

Lajme

08/01/2026 11:31

Një aksion të gjerë hetues ka nisur prej kohësh në kuadër të ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe disa njerëzve të tjerë.

E sot, qysh në orët e para të mëngjesit Prokuroria e Prizrenit bashkë me mbi 300 zyrtarë policorë nisën aksionin e gjerë që vuri nën pranga ish-drejtorin e BKS-së, Sami Mazreku si dhe ish-drejtorin e Financave në BKS, Valon Berishën.

Berisha bashkë me ish-drejtorin Sami Mazreku dyshohet se kishin përfituar jashtëligjshëm para nga Byroja e Sigurimeve duke shfrytëzuar pozitat e tyre.

E lajmi.net ka siguruar një dokument, saktësisht deklaratën që kishte bërë Valon Berisha ku edhe kishte pranuar dëmin e shkaktuar në vlerë prej miliona euro.

Ai madje kishte kërkuar që të negociojë rikthimin e një pjese të parave ndaj byrosë.

“Andaj, Byrosë i propozojmë që të ndërmarrë veprimet respektive në përllogaritjen e dëmit, ashtu që të mundësohet arritja e një marrëveshje sa më të favorshme për palët. Ndërsa, për të garantuar përmbushjen e plotë dhe efikase të detyrimit, kërkojmë që të shqyrtojë mundësinë e dakordimit të pagesës së shumës që do dalë nga ekspertimi Juaj financiar, në disa këste, ku si shprehje e vullnetit të mirë, shprehim gatishmërinë për lartësi të këstit të parë deri në njëqindmijë euro”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tij.

Sikur të kishte dëgjuar në lidhje me hetimet që po bëheshin, në njëfarë forme Berisha tentoi që t’i prijë kësaj pune e që të mund ta kompensojë dëmin që dyshohet se e shkaktoi.

Në këtë kërkesë ndër të tjerash deklarohej se ekziston vullneti për kompensimin e dëmit dhe se këtë do ta bënte në formë efikase.

Po ashtu, ai merr përgjegjësinë për gjithçka që ka ndodhur në BKS.

“Në këtë funksion, kam qenë i vetmi përgjegjës për organizmin, kontrollin dhe ekzekutimin e operacioneve financiare, përfshirë vendimmarrjen mbi transaksionet, pagesat raportimet financiare dhe çdo proces tjetër që lidhet me administrimin e fondeve dhe burimeve financiare të Byrosë. Punonjësit tjerë të Byrosë, përfshirë ata në pozita drejtuese apo ekzekutive, nuk kanë pasur qasje, njohuri apo përfshirje në vendimmarrjet financiare të ndërmarra nga unë. Çdo veprim i ndërmarrë ka qenë në kuadër të përgjegjësive dhe diskrecionit tim profesional, pa ndonjë ndikim apo ndërhyrje nga persona të tjerë brenda Byrosë“, deklaronte ndër të tjerash Berisha.

Kësti i parë i detyrimeve ndaj byrosë që kishte kërkuar që të shlyente, kapte vlerën e rreth 100 mijë eurove. Madje propozimi ishte që pagesa të kryhej përmes disa kësteve.

Por detajet nuk janë dhënë nëse Byroja kishte pranuar një propozim të tillë, derisa nga këta të fundit u tha se aksioni që po zhvillohet në fakt është iniciuar nga vetë Byroja Kosova e Sigurimeve.

Aksioni është duke u zhvilluar lidhur me kryerjen e disa veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”.

Përpos numrit të madh të policëve që po marrin pjesë në këtë aksion, në hetim të rastit janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve. E të dyshuar në këtë rast deri tani thuhet se janë rreth 45 persona.

Siç theksohet, dëmi që pretendohet nga Prokuroria se është shkaktuar buxhetit të Byrosë Kosovare të Sigurimit kap vlerën e 1 milion eurove.

Madje dyshohet se Mazreku dhe Berisha kishin marrë llogaritë bankare të 45 qytetarëve tek të cilët kanë transferuar mjete financiare përmes marrëveshjeve të parapërgatitura, nga të cilat kanë fituar mijëra euro. /Lajmi.net/